Sondazhi i fundit i Euronews Albania/ A janë dakord shqiptarët për hapjen e dosjeve
Shqiptarët janë të gjithë një mendje kur vjen fjala për hapjen e dosjeve të komunizmit. Të pyetur nga Barometri në Euronews Albania, 79.7% e tyre mendojnë se dosjet duhet të ishin hapur. Vetëm 9.3% e tyre janë përgjigjur jo dhe 11% janë përgjigjur nuk e di. Ndërkohë, 84.3% e shqiptarëve mendojnë se personat e përfshirë me sigurimin e shtetit duhet të ishin përjashtuar nga çdo post shtetëror, ndërsa vetëm 7% janë shprehur se nuk duhet të përjashtohen.
Interesimin më të madh për hapjen e dosjeve e ka grupmosha 55-64 vjeç me 89.2% pasuar nga grupmosha 65-75 vjeç me 88.8%, grupmosha 25-34 vjeç me 86.6%, 35-44 vjeç 85.1% 45-54 vjeç me 80.7% dhe më pak interes ka grupmosha 18-24 vjeç me 73%.

Ndërkohë, 76.9% e shqiptarëve mendojnë se nuk është vonë për të zbardhur të vërtetat e komunizmit, pas janë shprehur se dosjet duhet të hapen tani. Vetëm 16.1% mendojnë se dosjet tani nuk duhet të hapen.
Tek ata që duan hapjen e dosjeve tani, mbizotëron grup mosha 55-64 vjeç me 81.6% pasuar nga grupmosha 25-34 vjeç me 80.5%, 65-75 vjeç me 78.1%, 35-44 vjeç me 74.8%, 45-54 vjeç me 73.3% dhe 18-24 vjeç me 69.8%.
Por ata që duan hapjen e dosjeve nuk i ndan as ndasia politike, 86.4% e atyre që janë pro hapjes së dosjeve janë votues të së djathtës dhe 71% e tyre janë votues të së majtës.

66.8% e shqiptarëve mendojnë se nuk ka ndasi politike kur vjen fjala për lustracionin dhe të dyja palët preken njëlloj. 10.1% e të pyeturve u përgjigjën mazhoranca dhe 8.9% opozita.

Të ndarë sipas ndasive politike nga votuesit e PS-së në vitin 2021, 59.3% mendojnë se të dyja palët preken njëlloj nga lustracioni, 20.1% mendojnë opozita dhe vetëm 0.8% mazhoranca. Ndërkohë sipas votuesve të PD-së në 2021, 57.3% preken njëlloj 29.4% mazhoranca dhe 4.7% opozita.
Shqiptarët mendojnë se politika shqiptare, edhe pse kanë kaluar 31 vite nuk ia ka dalë të pastrohet nga personat që kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit. Të pyetur nëse ka në politikë sot persona që kanë qenë pjesë e sigurimit 78.2% e tyre janë përgjigjur ‘Po’ dhe vetëm 4.2% e tyre mendojnë se nuk ka.
Të ndarë sipas grupmoshave, tek ata që mendojnë se politika ka ende ish-sigurimsa mbizotëron grupmosha 65-75 vjeç me 81.1% pasuar nga grupmosha 35-44 vjeç; 80.7%, 55-64 vjeç; 80.4%, 25-34 vjeç; 79.3%, 45-54 vjeç; 76% dhe 18-24 vjeç me 70.4%.
Ndërsa nëse i ndajmë si ndasi politike, 86.7% e atyre që mendojnë se ka ende ish-sigurimsa në politikë i përkasin PD-së dhe 72.4% i përkasin PS-së.

Gjetjet janë të Barometrit në Euronews Albania, realizuar gjatë periudhën 9-21 shtator 2022, kryer nga MRB dhe Data Centrum, në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë/euronews albania/
KOHA JONË SONDAZH

