Sondazhi, shqiptarët nuk e dinë çfarë është shoqëria civile
Barometri në Euronews Albania ka pyetur shqiptarët nëse kanë njohuri për organizmat e shoqërisë civile. Gjetjet e sondazhit kanë rezultuar se shqiptarët konsiderojnë si “shoqëri civile” vetëm disa kategori të tyre, siç janë: organizatat mjedisore dhe organizatat për të drejtat e njerëzve apo kafshëve.
Të pyetur nëse, janë pjesë e shoqërisë civile organizatat me karakter fetar, vetëm 44.4% e qytetarëve janë përgjigjur: “PO”, ndërsa 55.6% janë përgjigjur “JO” ose “NUK E DI”. 54.9% e shqiptarëve nuk e dinë që organizatat sportive janë pjesë e shoqërisë civile. Vetëm 45% e qytetarëve e dinë që organizatat sportive janë pjesë e shoqërisë civile.
55.2% e shqiptarëve nuk e dinë që grupimet artistike dhe muzikore janë pjesë e shoqërisë civile. Ndërsa 44.8% e tyre, e dinë se ato janë pjesë e shoqërisë civile. Për organizatat mjedisore, 63% e shqiptarëve janë në dijeni që janë pjesë përbërëse e shoqërisë civile dhe 37% nuk e kanë një njohuri të tillë.
Për organizatat e mbrojtjes së kafshëve, 67.1% e qytetarëve janë në dijeni që ato janë pjesë e shoqërisë civile, dhe 32.9% nuk e dinë që këto organizata janë pjesë e shoqërisë civile. Sa i përket organizatave për të drejtat e njeriut, grave, fëmijëve, dhe minoriteteve, 78.6% e shqiptarëve janë përgjigjur saktë, duke thënë se këto organizma janë pjesë e shoqërisë civile, ndërkohë që 21.4% e qytetarëve nuk e dinë këtë fakt.
57.4% e shqiptarëve e dinë që organizatat e profesionistëve, urdhrat e mjekëve, psikologëve dhe avokatëve janë pjesë e shoqërisë civile ndërkohë që 42.6% e tyre nuk janë të informuar. 62% e shqiptarëve janë në dijeni që organizatat humanitare janë pjesë e shoqërisë civile, por 38% e tyre nuk janë në dijeni.
Për sindikatat, 64.3% e shqiptarëve janë të informuar që janë kategori përbërëse e shoqërisë civile ndërsa 35.7% jo. Për grupimet komunitare, 42.6% e qytetarëve nuk e dinë që janë pjesë e shoqërisë civile, ndërsa 55.4% e tyre kanë dijeni se këto grupime janë pjesë e shoqërisë civile.
Për gazetarët dhe opinionistët, 44.6% e shqiptarëve nuk e dinë që këto organizma janë pjesë e shoqërisë civile ndërsa 51.7% e qytetarëve e dinë që ato janë pjesë e shoqërisë civile. Po ashtu, edhe për organizatat e konsumatorëve 45.9% e shqiptarëve nuk janë në dijeni që janë pjesë përbërëse e shoqërisë civile. 54.1% e shqiptarëve e dinë që organizatat e konsumatorëve janë pjesë e shoqërisë civile. /Euronews Albania/