Soreca në Qendrën e Solidaritetit “Fundjavë Ndryshe”: Krenar për këtë grup të rinjsh

Ditën e djeshme, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, i shoqëruar nga drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari vizitoi Qendrën e Solidaritetit. Projekt i ndërmarr nga fondacioni me qëllim ndryshimin rrënjësor të jetës të shumë familjeve në nevojë. E projektuar për të pasur shkollë profesionale, bibliotekë, salla konferencash dhe trajnimesh, kapanon magazinimi, e një sërë shërbimesh të reja, Qendra e Solidaritetit është duke u krijuar me mbështetjen e shumë bizneseve por jo vetëm.

Bashkimi Evropian po ashtu ka bërë të mundur pajisje zyre qendrën, e cila po shndërrohet në një nga qendrat sociale më të mëdha në Ballkan. Gjatë vizitës së tij, ambasadori Soreca takoi edhe një grup të rinjsh, vullnetarë të “Fundjavë Ndryshe”. Të cilët në një bashkëbisedim, folën për rëndësinë e vullnetarizmit dhe mbështetjen që BE jep për këto kauza kaq themelore e të rëndësishme. Për këtë arsye, edhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri organizoi në muajin maj një konkurs për vullnetarizmin. Ku çmimi i parë iu dha drejtuesit të “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdarit dhe gjithë punës së mijëra vullnetarëve.

“Krenar që mbështesim këtë grup të rinjsh që ndihmojnë familjet në nevojë. Qendra e Solidaritetit mund të bëhet e rëndësishme për shumë familje shqiptare. Vullnetarët e rinj mund të bëhen një shembull për të rinjtë e Shqipërisë që kanë shumë potencial të paçliruar. BE-ja do të vazhdojë të jetë përkrah jush, pasi ju jeni qytetarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian”, tha Ambasadori Soreca.

SHKARKO APP