Sot 11 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, kujtohet Xhacka: Ditë historike!
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka me anë të një postimi në “Facebook” ka kujtuar 11-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Xhacka shprehet se kjo është një ditë historike për të gjithë shqiptarët, kurse shton se Forcat e Armatosura ia kanë dalë të gëzojnë respektin e Aleatëve Perëndimorë të Shqipërisë.
Postimi i ministres së Mbrojtjes Olta Xhacka:
Sot mbushen 11 vjet nga dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Është një ditë historike për mbarë shqiptarët. Një ditë kur Shqipëria u bë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur historia. Prandaj, sot dua t’ju shpreh falënderimet e mia të gjithë atyre që kanë punuar aq shumë për ta bërë realitet këtë aspiratë të shqiptarëve. E dua po ashtu t’u shpreh falënderimet gjithë aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që besuan tek Shqipëria dhe e mirëpritën Shqipërinë në radhët e aleatëve.
Sot do të duhet të ishte një ditë për të festuar. Çka sigurisht nuk është e mundur sepse sot përballemi me një luftë, ndryshe nga luftërat konvencionale për të cilat është krijuar NATO, me një armik të padukshëm e të panjohur, por po aq të rrezikshëm sa çdo armik konvencional.
Ama, ka shumë arsye për t’u ndjerë krenar për Forcat e Armatosura. Për çdo djalë e vajzë e burrë e grua në uniformë. Falë punës e përkushtimit të tyre FA ia kanë dalë në këto 11 vjet të fitojnë respektin e admirimin partnerëve e aleatëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në misionet e Aleancës, shumë më të madh sesa kontributi që do t’i takonte normalisht një vendi me përmasat e Shqipërisë.
Por sot, FA janë angazhuar në misionin e tyre më të vështirë duke rrezikuar sot jetën e shëndetin, në vijën e parë të frontit të luftës, për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Këta djem e vajza, burra e gra në uniformë na kanë bërë shpesh të ndihemi krenarë, me mënyrën si kanë performuar në misione nga Afganistani në Irak, me mënyrën si ju kanë ardhur në ndihmë qytetarëve të rrezikuar nga përmbytjet e të bllokuar nga dëbora. Por kurrë si sot, nuk jam ndjerë krenare për çdonjërin prej tyre!
Ata 5000 efektivë të shpërndarë sot në çdo anë e kënd të Shqipërisë për të ndihmuar çdo familje e çdo qytetar në nevojë, janë sot prova më e bukur dhe më e fortë e transformimit të madh që ka pësuar FA duke u kthyer në një forcë vërtet të denjë për një vend anëtar të NATO!