Sot në Belgjikë nis gjyqi i deputetit Mark Frroku

 

 

Mark Frroku është në burg, ndërsa sot në Belgjikë, nis procesi gjyqësor ndaj deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars 1999 në një stacion treni në Bruksel. Frroku ishte dënuar me 10 vite burg, por çështja u kthye për rigjykim, pas ankimimit të avokatëve për shkeljet procedurale.

Kurti mendohet se shoqërohej me një vajzë shqiptare me inicialet L.A., e cila shfrytëzohej për prostitucion nga njëri prej vëllezërve të tij. Bashkë me Frrokun do të gjykohen edhe të dyshuarit e tjerë, Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Xhafa dhe Alfred Kola.

Procesi do të zhvillohet në mungesë të Mark Frrokut, që në dosje rezulton ende me emrin Besnik Morina. Ai ka kërkuar të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet nga drejtësia belge, por, Gjykata e Lartë shqiptare ia rrëzoi kërkesën si të pabazuar në prova e fakte. Në proces atje, pritet të përfaqësohet nga avokatja belge Carinne Couqelet.

Kjo e fundit, pas arrestimit të Frrokut mbërriti në Tiranë dhe mori kontakt me të për t’u konsultuar. Vetë Mark Frroku pretendon se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Kurtit, dhe se do ta provojë pafajësinë e tij.

SHKARKO APP