Sot seanca në gjykatë për të arrestuarit e Kuvendit, qytetarët paralajmërojnë protestë
21 qytetarët e ndaluar gjatë protestës së së enjtes së kaluar para Kuvendit pritet të paraqiten sot, në orën 09:30, në Gjykatën e Tiranës, ku do të zhvillohet seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve të tyre.
Sipas njoftimeve, një grup koordinues së bashku me protestues të tjerë kanë bërë thirrje për t’u mbledhur përpara gjykatës, në shenjë mbështetjeje për personat e arrestuar, gjatë kohës që do të zhvillohet seanca gjyqësore.
Arrestimet e kryera pas protestës kanë sjellë tensione edhe në zhvillimet e mëvonshme në kryeqytet. Pas përfundimit të marshimit të djeshëm, një grup protestuesish u përplas me forcat e rendit pranë Komisariatit Nr. 3, në zonën e rrugës “Mine Peza”, aty ku mbaheshin një pjesë e të ndaluarve. Situata u përshkallëzua dhe u raportuan incidente mes palëve.
Gjatë këtyre përplasjeve u dëmtuan xhamat dhe dera hyrëse e komisariatit, ndërsa disa individë arritën të depërtojnë për një moment në ambientet e pritjes së institucionit, duke shkaktuar dëme materiale.
Personat e arrestuar përballen me një sërë akuzash penale, të cilat përfshijnë shkatërrim prone, kundërshtim dhe goditje ndaj punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrave të policisë si dhe pengim të qarkullimit rrugor.
Autoritetet pritet të shqyrtojnë në seancën e sotme jo vetëm ligjshmërinë e arrestimeve, por edhe rrethanat e ngjarjeve që çuan në ndalimin e 21 qytetarëve, ndërsa në terren mbetet e pranishme vëmendja e shtuar për zhvillimet përreth gjykatës.
KOHA JONË SONDAZH

