Spahiu: Shqipëria s’ka 1.4 miliardë banorë si Kina që PD-PS bëjnë ndarje territoriale çdo 4 vjet
Juristi Kreshnik Spahiu ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar reforma territoriale në Shqipëri nga dy forcat kryesore politike, duke e cilësuar si të gabuar praktikën e ndryshimit të vazhdueshëm të ndarjes administrative. Ai u shpreh se Shqipëria, për shkak të numrit të kufizuar të banorëve dhe ndryshimeve jo të mëdha demografike brenda një mandati qeverisës, nuk ka arsye të rishikojë hartën territoriale çdo katër vjet. Sipas tij, një reformë e tillë duhet të mbështetet në një vizion afatgjatë dhe të garantojë qëndrueshmëri në qeverisjen vendore.
“Socialistët dhe demokratët janë sjellë me Shqipërinë sikur të jetë Kina, sikur Shqipëria të jetë 1 miliard e gjysmë dhe ndryshon demografinë brenda 4 vjetësh”, deklaroi Spahiu. Ai argumentoi se ndryshimet e shpeshta krijojnë pasiguri në organizimin e pushtetit vendor dhe se një qytet apo njësi administrative nuk mund të ndryshojë vazhdimisht statusin, sipas interesave apo qasjeve politike të momentit. Spahiu kërkoi që ndarja territoriale të hartohet mbi një perspektivë të paktën 30-vjeçare.
“Vendoset një ndarje sot dhe për të paktën 30 vjet qeveriset me atë organizim lokal. Jam kundër rishikimit herë pas here”, u shpreh ai. Reforma e radhës territoriale pritet të kalojë për votim në Kuvend në ditët në vijim, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi mënyrën se si duhet të organizohet administrimi vendor në Shqipëri.

