SPAK hap garën për 40 pozicione hetuesish në BKH
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur thirrjen për aplikim për 40 pozicione të reja hetuesish në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara kanë afat deri më 14 shtator 2026 për të dorëzuar dokumentacionin.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pozicionet e reja për hetuesit janë pjesë e strukturës së BKH-së, e cila ka në fokus hetimin e veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për të konkurruar, kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, që lidhen me shtetësinë, arsimin, përvojën profesionale, si dhe integritetin dhe sigurinë.
Kush mund të aplikojë?
Në garë mund të marrin pjesë shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar arsimin e lartë policor, juridik, në kontabilitet, apo një degë tjetër të arsimit të lartë që lidhet me misionin e BKH-së. Një tjetër kriter është përvoja profesionale. Kandidatët duhet të kenë më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë që lidhet me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu, aplikantët duhet të përmbushin kushtet që lidhen me integritetin, sigurinë, pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Si do të zhvillohet konkurrimi?
Përzgjedhja e kandidatëve do të kalojë në disa faza. Procesi nis me testimin kognitiv, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik, ndërsa më pas kandidatët do t’i nënshtrohen testimit të aftësive fizike. Në fazat e tjera parashikohen testi i zgjeruar me shkrim dhe intervista e strukturuar. Procesi përfshin gjithashtu poligrafin, verifikimet e pasurisë, figurës dhe sigurisë, si dhe kontrollet mjekësore dhe psikologjike. Edhe pse këto procedura nuk pikëzohen në procesin e konkurrimit, ato janë të detyrueshme për kandidatët.
Afati i aplikimit
Kandidatët e interesuar kanë kohë të aplikojnë deri më 14 shtator 2026, ora 16:00. Dokumentacioni duhet të dërgohet elektronikisht në adresën bkh.aplikim@spak.gov.al.
Aplikantët duhet të dërgojnë të njëjtin dokumentacion edhe me postë në adresën e Byrosë Kombëtare të Hetimit:
Rruga “Jordan Misja”, nr. 1, Tiranë.
Hapja e 40 pozicioneve të reja vjen në kuadër të procesit të përzgjedhjes dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore të BKH-së për përmbushjen e misionit të saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
KOHA JONË SONDAZH

