SPAK mori Veliajn të pandehur, avokatët kërkojnë zgjatje afati për njohjen me dosjen hetimore
Pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u mor i pandehur, avokatët e tij i kërkojnë SPAK-ut zgjatjen deri më datë 24 shtator të afatit për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ngrihet akuza. Nisur nga volumi i madh i materialeve hetimore, mbrojtja e Veliajt thotë se ndodhen në pamundësi objektive për t’u njohur në mënyrë efektive me përmbajtjen e plotë të provave dhe akteve brenda 10 ditëve, ashtu siç e parashikon ligji, në mënyrë që më pas ata të japin kundërshtimet e tyre.
“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur.
Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj “përmbytjeje dokumentare” është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”, thuhet në kërkesë.
KOHA JONË SONDAZH

