Spartak Ngjela: Ç’bën kryeministri-piktor!? Vetë e keni zgjedhur, tani vuani!
Nga: Spartak Ngjela
Shqipëria sot është në një udhëkryq historik për drejtimin dhe zhvillimin e saj: udhëkryqi është: ku? dhe si? Janë dy plane të rëndësishëm këta, por që të dy janë në dorë të qeverisë aktuale, sipas pyetjeve: ku po shkon, dhe si po vepron? Po shqiptarët nuk kanë asgjë në dorë? Jo, nuk kanë fare gjë në dorë. Po, si shpjegohet kjo? Sepse kanë një kryeministër që nuk di asgjë dhe ecën dhe flet e sillet sikur di gjithçka. Kjo, në fakt është kriza aktuale.
Po kryeministri aktual, çfarë profesioni ka? Ai është piktor. Po kush e ka zgjedhur një piktor kryeministër? Shqiptarët e kanë zgjedhur, por ata nuk dinë të zgjedhin. Epo kur nuk dinë të zgjedhin, le të vuajnë: kush ua ka fajin? Sigurisht, ata po vuajnë.
Po përpara piktorit, kush ka qenë kryeministër? E njëjta gjë. Përpara piktorit ishte një mjek. Edhe ky, njëlloj si piktori, nga shqiptarët është zgjedhur? Po nga shqiptarët. Po shqiptarët, nuk e dinë që as mjeku e as piktori nuk mund të drejtojnë dot ekonomikisht dhe juridikisht një shtetet, se nuk e njohin as tregun dhe as ligjin? Shqiptarët, kështu siç kanë vepruar, sigurisht që nuk e dinë.
Domethënë na duhet një sqarim: po faji i kujt është, i shqiptarëve që i zgjedhin këta, apo vet shqiptarët janë pasionantë dhe besojnë gënjeshtrat e piktorit dhe të mjekur për zhvillimin e tyre? Sigurisht fajin shqiptarët vetë e kanë, por pasioni i tyre është tek dy partitë kryesore: te Partia Socialiste dhe te Partia Demokratike. Shqiptarët janë të mbushur së brendshmi me pasionin partiak rreth dy partive: gjysma e tyre te Njëra, dhe gjysma e tyre te Tjetra.
Kryetarët aktualë, mjeku dhe piktori, kanë shtënë në dorë partitë, kurse shqiptarët janë partiakë, dhe as që pyesin se kush është kryetari. Po shqiptarët anëtarë parte, që e kanë zgjedhur kryetarin e partisë së tyre si kryeministrin aktual, nuk e dinë që piktori nuk mund ta drejtojë dot një shtet? Jo, shqiptarët nuk e kuptojnë dot këtë. Po piktori çfarë po bën si kryeministër? Piktori, asgjë.
Ai i gëzohet postit me patologjinë e tij të brendshme, imiton Enver Hoxhën dhe ecën me një bllok që e mban edhe mbi bark mu si Enver Hoxha, dhe, ndërkaq, i është imponuar Partisë Socialiste dhe po sundon edhe shtetin, edhe partinë. Epo, përderisa fajin shqiptarët e kanë vetë, dhe se, pa menduar fare, kalojnë nga një kryeministër mjek tek një kryeministër piktor, le të vuajnë se vetë e kanë fajin…Sigurisht.