Spartak Ngjela: Nga do anojë gjykata e Vlorës; nga grup që dhunoi fizikisht një grua apo nga gruaja e dhunuar?

Bashkëshortët Evelina Milaj dhe Dritan Sollmone pretendojnë se janë rrahur, vjedhur dhe prona e tyre është dëmtua, si pasojë e një konflikti të gjatë me një familje tjetër në Orikum. Ngjarja  e ndodhur dy vite me parë, ka pasur për protagonist çiftin e tregtareve që kishte një dyqan në rrugën “Kaonët” në Orikum dhe Rikardo Berdon me disa të afërm të tij, të cilët banonin në pallatin ku ndodhej dyqani. Çështja sot ka përfunduar në gjykatë dhe shumë nga detajet e panjohura për këtë ngjarje janë bërë publike nga avokati i palës së dëmtuar, Spartak Ngjela. Kështu më 22 shkurt të vitit 2017, në dyqanin e Evelina Milaj, bie zjarr në tendën që ndodhet në oborrin e biznesit. Sipas padisë së siguruar nga “Koha Jonë”, Evelina Milaj thotë se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme nga Rikardo Berdo dhe familjarët e tij. Po sipas padisë së Milaj, pas konflikteve verbale me Rikardo Berdon, ky i fundit së bashku me dy persona të tjerë e kanë rrahur atë dhe bashkëshortin. Në padi thuhet se si pasojë e dhunës bashkëshorti i saj Dritan Sollmone është dëmtuar në njërin sy duke pasur pasoja të rënda në shikim. Veç dhunës, Milaj pretendon se personat qe e kanë rrahur i kanë marrë nga gishti edhe një unazë me vlerë 20 mijë euro. Pas dy vitesh proces gjyqësor çështja ndodhet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me gjyqtare Esmeralda Habili.

Avokati i çështjes, Spartak Ngjela, në pretendimet përfundimtare paraqet gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe kërkon nga gjykata që autorët jo vetëm të dëmshpërblejnë të dëmtuarit, por gjykata të ndëshkojë dhe në rast flagrant të dhunimit të një gruaje invalidë.

Në vijim mund të lexoni pretendimet përfundimtare të avokatit Spartak Ngjela:

“Nga do anojë gjykata e Vlorës; nga grup individësh që kanë dhunuar fizikisht një grua apo nga gruaja e dhunuar

“Një grup njerëzish të drejtuar në Rikardo Berdo që njihen në Orikum si njerëz të dhunshëm, për një kohë të gjatë kanë ushtruar presione ndaj tregtares Evelina Milaj dhe bashkëshortit të saj, Dritan Sollmone. Kulmi arriti atëherë, kur Rikardo Berdo i ushtron dhunë të hapur, rrahje dhe si pasojë e kësaj një grup personash i kanë bërë presion zonjës Evelina Milaj dhe bashkëshortit të saj, Dritan Sollmone që të largohen nga prona e tyre, sepse dyqanin duan ta përdorin ata

Znj. Evelina Milaj dhe bashkëshorti i saj, Dritan Sollmone kanë bërë padi gjyqësore kundër Rikardo Berdos dhe familjarëve të tij dhe kërkojnë shumën 6.840.000 lekë të reja, si dëm në dyqan, dëme të shëndeti dhe humbjen e një unaze me vlerë 20 000 euro, që ka ardhur si pasojë e agresivitetit të Rikardo Berdos kundër Evelina Milaj.

Evelina Milaj është edhe invalide.

E gjithë çështja është gjykuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe ndërkohë po pritet vendimi i gjyqtares Esmeralda Habili.

Pyetja që ngrihet këtu është kjo: Nga do të anojë gjyqtarja Esmeralda Habili, nga gruaja e dhunuar për t’i kthyer reputacionin, personalitetin dhe dinjitetin, apo do anojë nga Rikardo Berdo dhe familjarët e tij, i cili njihet si person që ushtron dhunë të hapur në Orikum, Vlorë”.

Shënim i redaksisë: Gazeta “Koha Jonë” është e hapur për të publikuar dhe pretendimet e palës tjetër në këtë proces gjyqësor.

SHKARKO APP