Spartak Ngjela: Rama po shet detin për t’u shpëtuar krimeve të korrupsionit. Z. Ruçi, kujtoja kryeministrit kush është Avni Rustemi

Avokati Spartak Ngjela e cilëson tradhti marrëveshjen e Edi Ramës me Greqinë për ndarjen e detit. I njohur për mbështetjen që i ka dhënë Edi Ramës në reformën në drejtësi dhe politikat qeveritare, paktin detar me Athinë, Ngjela e cilëson si një akt flagrant mos reagimin e qeverisë për shtrirjen 12 milje të Greqisë.

Ngjela shprehet se kryeministri po shet detin për t’i shpëtuar ndëshkimit që e pret për korrupsioni qeveritar dhe nuk përjashton azilin e tij në Greqi. “Kjo marrëveshje e Ramës ka nëntekst të kuptueshëm: kryeministri socialist Rama, i trembur nga reforma antikorrupsion, po kërkon, që tani, të përfitojë azil politik në Greqi. Shkurt, ai kërkon t’i shesë territor shqiptar Greqisë në këmbim të azilit të tij politik në Greqi, që t’i shpëtojë kështu akuzës që pritet t’i ngrejë SPAK”,- deklaron Ngjela.

Në reagimin e tij, Ngjela shtron një sërë pyetjesh teknike për marrarrveshjen dhe në fund i kërkon kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi që si lab që është t’i kujtojë Edi Ramës se kush është Avni Rustemi.

“Këto 12 milje sipërfaqe detare, janë sovranitet territorial, apo shelf kontinental? Mund të ketë dhe dhjetë pyetje të tjera si këto, por ne nuk ka çfarë na duhet, se ne shqiptarët kemi një aksiomë patriotike, e cila na thotë: sa herë tradhtia kombëtare shet territor shqiptar te fqinjët pushtues tokash shqiptare, në Tiranë ngjallet Avni Rustemi. Edhe Esat Toptani, në Paris, me azil politik ishte. Atëherë? Zoti Ruçi, shpjegoja mirë Ramës këtë aksiomë, sepse, në Labëri ajo ka dalë”,- deklaron Spartak Ngjela.

Shkrimi i plotë i avokatit Spartak Ngjela:

Shqiptarët kanë për kryeministër një individ, i cili asnjëherë nuk ka qenë me shqiptarët. Tani, po ky, mendon se ka forcë që të tjetërsojë territor shqiptar, dhe jo pak, por 12 milje detare. Të gjithë këta, janë një bandë që, pasi i vodhën shqiptarët dhe grabitën pasuritë e Shqipërisë, po duan të shesin edhe territor.

I.

Ku i ka hartat, dhe ku janë ekspertët për marrëveshjen që kërkon të bëjë kryeministri Rama?  Kryeministri thotë se është e drejta detare ajo që ia jep Greqisë këtë territor, po mirë: po Shqipërisë kush ia ka dhënë këtë territor?

Nëse ta jep E Drejta Ndërkombëtare, pse duhet marrëveshja me Shqipërinë? Pse nuk ju flasin ekspertët shqiptarëve për këtë çështje? Ku e njeh Rama të Drejtën Ndërkombëtare dhe hartografinë! Dhe, ai, as që e di që gjithçka e tillë është profesion.

II.

Të gjitha këto ndodhin, sepse kjo marrëveshje e Ramës ka nëntekst të kuptueshëm: kryeministri socialist Rama, i trembur nga reforma antikorrupsion, po kërkon, që tani, të përfitojë azil politik në Greqi. Shkurt, ai kërkon t’i shesë territor shqiptar Greqisë në këmbim të azilit të tij politik në Greqi, që t’i shpëtojë kështu akuzës që pritet t’i ngrejë SPAK.

Po politika amerikane, a do ta lejojë këtë skandal, në një kohë kur ishte ajo që i kërkoi opozitës antiberishë prishjen  e marrëveshjes Shqipëri-Greqi për detin, me padi në Gjykatën Kushtetuese? Rama, i detyruar nga politika amerikane, e nënshkroi atëherë edhe ai padinë në Gjykatën Kushtetuese, kundër paktit Berisha.

Po tani?

Ja pyetjet, të cilave duhet t’u përgjigjet kryeministri aktual:

Ku ndryshon pakti Berisha nga pakti Rama për detin me Greqinë?

Ku janë hartat profesionale të shkallëzuara në perfeksion?

Përse, deri tani ai territor prej 12 miljesh detare ka qenë një territor shqiptar?

Këto 12 milje sipërfaqe detare, janë sovranitet territorial, apo shelf kontinental?

Mund të ketë dhe dhjetë pyetje të tjera si këto, por ne nuk ka çfarë na duhet, se ne shqiptarët kemi një aksiomë patriotike, e cila na thotë: sa herë tradhtia kombëtare shet territor shqiptar te fqinjët pushtues tokash shqiptare, në Tiranë ngjallet Avni Rustemi. Edhe Esat Toptani, në Paris, me azil politik ishte.

Atëherë? Zoti Ruçi, shpjegoja mirë Ramës këtë aksiomë, sepse, në Labëri ajo ka dalë.

https://www.facebook.com/spartak.ngjela/posts/10216227099382742?notif_id=1598613635418563&notif_t=notify_me&ref=notif

SHKARKO APP