Spastrimi i heshtur etnik në Preshevë, BE-Serbisë: Sqaro çështjen e pasivizimit

Bashkimi Europian i kërkon llogari Serbisë lidhur me çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës. Politikanët shqiptarë e kanë ngritur shpeshherë problemin e spastrimit etnik institucional përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

”Kjo është një çështje të cilën e trajtojmë në raportin tonë të zgjerimit. Mund të të orientoj tek raporti. Por ne kemi marrë shënime lidhur me shqetësimet për pasivizimin e adresave të anëtarëve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Po e ndjekim situatën nën dritën e përkushtimeve që ka marrë Serbia në kornizën e negociatave të anëtarësimit, veçanërisht tek ato që lidhen me të drejtat e minoriteteve kombëtare”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e BE.

Zëdhënësja nuk komenton vendimin e një gjykate serbe që refuzoi kërkesën e një shqiptari për të rifituar adresën e pasivizuar në Medvegjë, ku ka pronat, shtëpinë dhe biznesin. ”Mendoj se e kemi bërë të qartë se ka nevojë që autoritetet serbe t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen kontrollet e statusit të banorëve, duke rezultuar në pasivizimin e adresave të caktuara dhe nëse Serbia e Jugut është në shënjestër të veçantë në këtë drejtim. Pra, kjo është me të vërtetë diçka që trajtohet përmes procesit të zgjerimit dhe veçanërisht në raportet tona të zgjerimit”, tha Pisonero.

SHKARKO APP