Specialistët: Shqipërisë i shkon më tepër ora verore

Në mesnatë akrepat e orës u kthyen 60 minuta pas. Ndonëse ky vit ishte parashikuar si i fundit për ndryshimin e orës, sërish duhet të presim nëse do të ketë vendimin zyrtar nga BE. Për sociologun Zyhdi Dervishi, ndryshimi i orës ka pasoja psikologjike dhe sugjeron po ashtu që ora të mbetet e pandryshuar.

“Ndryshimi i orës ndikon shoqërisht, psikologjikisht dhe për këtë nuk ka studime të mirëfillta. Ndaj duhet të ketë studime. Shoqëria duhet të mendojë për njerëzit që janë forcën aktive në punë sesa për ata që janë të mefshtë. Pasi ka më tepër produktivitet kur dita është më e gjatë”, tha Dervishi.

Sipas astrofizikantes Mimoza Hafizi, Shqipëria pozicionohet më mirë me orën perëndimore, ku dita është më e gjatë. “Nga pikë pamje astronomike, ora që kemi është më e mira e mundshme. Ju e dini në fjalor, ora 12 është mesdita dhe ne na përkon mesi i ditës me këtë orë. Ora greke ose turke do të na zhvendoste dhe nuk besoj se do të ishte e përshtatshme për ne. Megjithatë varet nga zakonet e njeriut për menazhimin e ditës”, shton Hafizi.

SHKARKO APP