Spiropali vizitë zyrtare në Parlamentin e Britanisë: Marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel të ri

Me ftesë të Kryetarit të Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi sot vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Kryeparlamentarja shoqërohet nga deputetët, Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Eduard Shalsi, Blerina Gjylameti, Lavdrim Krashi, Lefter Gështenja si edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi.

Gjatë takimit me kryetarin e Dhomës së Komuneve Sir Lindsay Hoyle, Spiropali diskutoi mbi bashkëpunimin mes dy vendeve. Pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët në dhjetor 2022, dialogu politik, marrëdhëniet e shkëmbimet dypalëshe janë përmirësuar dhe Kuvendi dhe Dhoma e Komuneve po kontribuojnë në avancimin e tyre.

“Bashkëpunimi me parlamentin britanik është prioritet. Ndërveprimi ynë synon thellimin e reformave, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, fuqizimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe mbrojtjen e paqes, turizmin, inovacionin, arsimin, kulturën dhe nismat e tjera dypalëshe. Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në luftën kundër emigrimit ilegal përfshin edhe projektet e programet mbështetëse për investime dhe punësimin e rinisë në disa zona të Veriut”, theksoi Spiropali.

Në Mbretërinë e Bashkuar jeton një komunitet i madh i Diasporës shqiptare, aktiv dhe i mirëintegruar, i cili shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit, nënvizoi lidershipin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe vlerësoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin dhe anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve të Balllkanit Perëndimor.

Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme nga Mbretëria e Bashkuar të integrimeve dhe perspektivës euro-atlantike të Kosovës si edhe të bashkëpunimit të saj me NATO-n. Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, nënvizoi Spiropali, do të vijojnë bashkëpunimin për mbështetjen e vendosur dhe të palëkundur për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në koherencë të plotë me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s.

Kryetarja e Kuvendit dhe delegacioni u takuan edhe me përfaqësues të grupit të miqësisë me Shqipërinë dhe delegacionit të Dhomës së Komuneve në Unionin Ndër-Parlamentar, me të cilët diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimit parlamentar dypalësh, modernizimin e funksionimit e të shërbimeve të Kuvendit si dhe koordinimin e qëndrimeve në forumet parlamentare ndërkombëtare. Spiropali dhe delegacioni i Kuvendit ndoqën edhe seancën e pyetjeve në parlament me Kryeministrin Keir Starmer.

SHKARKO APP