Spitali i Lezhës, Manastirliu: Për herë të parë mamografia, jo më vizita në Tiranë
Dy muaj pas vizitës në spitalin e Lezhës, ku deklaroi se brenda vitit do të vendoset mamografia në këtë spital, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u rikthye të enjten në Lezhë për të parë nga afër funksionimin e shërbimit të ri të mamografisë. ”Siç e premtuam, vendosëm për herë të parë mamografinë në spitalin e Lezhës, me një teknologji të avancuar, që do i shërbejë grave të kësaj zone ta marrin shërbimin afër vendbanimit, pa patur nevojë të vijnë në Tiranë për ekzaminimin e gjirit”.
Me vendosjen e mamografisë në Lezhë dhe së shpejti në Fier, plotësohen të gjitha nevojat e spitaleve rajonale në vend. “Bëhemi gati për të nisur programin kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë. Synojmë të arrijmë targetin për të depistuar 40 mijë gra në vit”. Në spitalin e Lezhës është hapur për herë të parë edhe shërbimi i kimioterapisë.
Gjatë vizitës në spitalin e Lezhës, ministrja vlerësoi punën e mjekëve të spitalit të Lezhës që po përballojnë fluksin e pacientëve të shtruar që vijnë dhe nga qyteti i Laçit për shkak të dëmtimit të spitalit si pasojë e tërmetit. Ajo garantoi se do të vijojmë investimet në vitin 2020, për të siguruar shërbim cilësor afër vendbanimit.
Duke u ndalur tek investimi në burimet njerëzore, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se nga janari do t’i shtohen spitaleve rajonale edhe 70 mjekë specialistë. “Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme por për ne është po aq i rëndësishëm investimi në burimet njerëzore. 130 mjekë specialistë u punësuan në spitalet rajonale gjatë vitit të fundit, ndërsa 70 mjekë të tjerë specialistë përfundojnë specializimin në Dhjetor dhe do të punësohen në spitalet rajonale vitin e ardhshëm”.