Spitali Memorial i Fierit, drejtoresha: Mbi 10 ndërhyrje kirurgjikale me sukses

Spitali Memorial i Fierit është parë si shpëtim për zonën e jugut, pasi të shumtë janë pacientët që i janë drejtuar spitalit sapo hapi dyert. Me kushte bashkëkohore dhe staf shqiptaro-turk, pacientët shprehen se kanë gjetur jo vetëm mjek të mirë por edhe shërbim cilësor. ”Është hera e parë që vij në këtë spital dhe më ka pëlqyer shumë. I gjithë stafi me pritje të rregullt dhe të mirë. Pastërtia e rregullt. Më ka pëlqyer shumë. Kam jetuar 18 vjet në Itali. Më mirë se atje”, tregoi një paciente.

Nga data 27 Maj e deri më 17 Qershor në spitalin rajonal memorial kanë marrë shërbim rreth 500 pacientë, ndërsa janë kryer me sukses 10 ndërhyrje kirurgjikale. Drejtoresha e spitalit, Rudina Degjoni, thotë se pranimi bëhet përmes sistemit të referimit për pacientë të qarqeve Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

”Jemi përpjekur që të gjithë qytetarëve të ju japim përgjigjen në kohën e duhur dhe të ju japim shërbimet që ato kanë nevojë. Por vihet re dhe një interesim i pacientëve që janë jashtë këtij rajoni. Kruja. Në rastin konkret patëm ndërhyrjen ditën e djeshme”, tha Rudina Degjoni për ”Report Tv”.

Aktualisht ofrohen 8 shërbime të rëndësishme si neurologji, kardiologji, kirurgji e përgjithshme, radiologji, urologji dhe shërbimi i laboratorëve. Nga 30 qershori pritet të hapen shërbime të reja, si hemodinamika, infektivi dhe okulistika. Ndërsa nga gushti pritet të hapet dhe reparti i ortopedi traumatologji.

Në spitalin Memorial Rajonal punojnë 30 mjek, prej të cilëve 14 janë nga Turqia. E po kështu pjesë e stafit janë edhe infermier e teknikë turq, të cilët flasin për eksperiencën në Shqipëri. Spitali i ri ka 150 shtretër dhe 6 salla operacioni me një personel mjekësor prej 150 personash, por deri në fazën e tretë është parashikuar të shkojë në 400 të punësuar.

SHKARKO APP