Spitali Memorial i Fierit, kryhet me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale
Në Spitalin Memorial të Fierit është kryer me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot lajmin e mirë të zhvillimit të operacionit të parë nga ekipi i mjekëve shqiptaro-turk.
“Bravo ekipit të përbashkët të mjekëve shqiptaro-turk, Prof. Dr. Bulent Cavit Yuksel, Dr. Ilkay Guler, Dr. Frenki Vila, Dr. Ayse Lafci dhe Dr. Aida Xhika. S’ka kohë për pushim”, shkruan Manastriliu, e cila ndan edhe foto nga salla e operacionit. Spitali do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Do të ofrojë edhe shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë si edhe traumatologjisë.