Statistikat e  shtrembëruara të bujqësisë

Pesha e bujqësisë shqiptare në përqindjen e PPB, përqindja e lartë e popullsisë që merret me këtë sektor apo që jeton në zonat rurale ku ka arealin e vet bujqësia, varësia e bilancit të eksport-importit (sigurimi e kursimi i valutës) prej bujqësisë në një shkallë të madhe etj, e bëjnë bujqësinë të ketë pozicionin më të rëndësishëm në skemën ekonomike të vendit. Në këtë aspekt, nevoja për një informacion statistikor të saktë e të besueshëm është një domosdoshmëri, si për njohjen e gjendjes, ashtu dhe për analizën e saj dhe përcaktimin e politikave prioritare të zhvillimit të bujqësisë.

Me shpërbërjen e kooperativave dhe të ndërmarrjeve bujqësore, të dhënat statistikore të të cilave vinin të kanalizuara në formë të koncentruar, sot numri i madh i fermave të krijuara pas zbatimit të ligjit “Për tokën”, ka krijuar amulli e vështirësi të mëdha në mbledhjen e përpunimin e të dhënave statistikore. Nuk ka si të ndodh ndryshe, kur përpara vitit 1990 kishim të bënim vetëm me mbi 550 kooperativa bujqësore dhe mbi 100 ndërmarje shtetërore bujqësore, në vend të mbi 450 mijë fermave private që janë sot. Ndryshimi  i sistemit ekonomik në bujqësi, nga një ekonomi e centralizuar në mënyrë të skajshme në një ekonomi të privatizuar po skajshmërisht (të copëzuar), i ka nxjerrë të pavlefshme metodologjitë që përdoreshin për grumbullimin e të dhënave statistikore.

Po të bisedosh me specialistë të kësaj fushe për mangësitë e theksuara që vërehen sot në grumbullimin e të dhënave të sakta statistikore, “humbet në thekër”, duke mos kuptuar asgjë prej atyre që të shpjegojnë. Këtu, mendojmë ne, në gjendjen e krijuar kur bujqësia po vuan për gjithshka, thjesht edhe për regjistrimin e saktë të aseteve të saj, nuk ka nevojë për “shkencë të madhe”, për metodologji shkencore etj, etj, por vetëm për një punë empirike, për një regjistrim të saktë, jo me kampione apo modele, me përdorim të metodave bashkëkohore, siç të thonë, por së pari një regjistrim të plotë fermë për fermë, fshat për fshat, në çdo njësi administrative dhe në çdo bashki.

Swiss Digital Desktop Reklama

Organet përgjegjëse të statistikave në Shqipëri, pretendojnë se na japin të dhëna të besueshme që lëvizin në variacionin 3-10 përqind keofiçient besueshmërie?!  Lexuesit do t’i duket e pabesueshme po t’i tregojmë se sot në Shqipëri instiucionet tona nuk dinë as shifrën e saktë se sa tokë bujqësore kemi: ne vazhdojmë ti mbushim raportet statistikore me shifrat e vitit 1990. Për 25 vite fatkeqësisht kemi humbur qindra ha tokë arë si në fushë ashtu edhe në kodër e mal: erozioni, ndërtimet marramendëse me e pa leje, tjetërsimi i zërit kadastral në dëm të tokës arë, braktisja etj, kanë bërë që ne sot të kemi një shifër më të ulët se sa ajo e para 25 viteve. Po kur nuk pasqyrohet e saktë e dhëna  themelore statistikore e bujqësisë, toka, si do të pretendojmë se kemi saktësi në të dhëna të tjera që kanë lidhje  me të: për strukturën e mbjelljeve, numrin e krerëve të bagëtive të të gjitha kategorive, numrin e rrënjëve të pemëtoreve, prodhimet e rendimentet në bimët e arave, blegtori e pemëtari. Inputet e përdorura, shitjet, çmimet, kostot, të ardhurat, gjendja e mekanikës bujqësore dhe volumi i punimeve që realizon, ngarkesa me agregate bujqësore, norma e konsumit të karburantit sipas tokave e mjeteve. Të dhëna për agropërpunimin, për sasinë e peshkut të zënë. Për bujqësinë ne duhet të kemi të dhëna të sakta për kullimin dhe vaditjen: sa km kanale të para, të dyta e të treta si kulluese ashtu edhe vaditëse, sa sipërfaqe toke ujitet prej secilit rrjet, cilat janë burimet e ujit, sa sipërfaqe ujitet me rrjedhje të lirë, me ngritje mekanike apo me pika. Nuk vlejnë më shifrat e 1990-tës. Se kur do t’i arrijmë ato, kjo i mbetet kohës për të gjykuar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Se sa të shtrembëruara janë të dhënat statistikore në bujqësi, do të sjellim vetëm dy shembuj. Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, qarku i Lezhës kishte të mbjellura për vitin 2015, 401 ha patate dhe 713 ha fasule. Absurditete: të gjithë fermerët dhe ne që merremi me bujqësinë, e dimë se, si njëra si tjetra kulturë, ka vite që nuk trajtohet si bimë arash, në kuptimin që me to të jenë të mbjellura dynym apo ha të tëra. Shumica e fermerëve në rrethin e Lezhës, e mbjellin fasulen (ata që mbjellin një sipërfaqe), si perimet: jo per treg por për nevojat e veta. E njëjta situatë është edhe për pataten. E vërteta është se në tregun tonë të brendshëm (të Lezhës) shumë radhë gjenë fasule apo patate që është e prodhuar në fushat e rrethit tonë. Po kështu ndodh me shumicën e të dhënave që publikohen.

Është domosdoshmëri që ne, jashtë metodologjive të famshme shkencore që ndjekë INSTAT, duke na prodhuar statistika të shtrembëruara, të organizohemi e të punojmë që t’i kemi këto të dhëna të sakta. Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve e Zhvillimit Rural në Bashkinë e Lezhës, po harton një plan pune të përbashkët me Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë që varet nga Ministria e Bujqësisë, që në një të ardhme jo të largët, të kemi të dhëna të sakta statistikore për të gjithë zërat e sipërthënë. Ky proces do të kryhet me kujdes të veçantë e të përditshëm, pa kërkuar shpenzime shtesë dhe pa kërkuar forca pune të tjera, veç specialistëve që  disponojnë këto drejtori.

Gjovalin Gjeloshi dhe Ermir Gjokhilaj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?