Stina e zjarreve, Çako: Do të shtojmë flotën e mjeteve ajrore, nevojiten korridore e akses për hidrantë
Stina e verës po afron dhe AKMC ka kërkuar nga bashkitë të marrin masa për menaxhimin e situatave të cilat sipas kreut Haki Çako, priten të vështira, bazuar në parashikimet për një verë me temperatura ekstreme. Nga Fieri ku përfaqësuesit vendorë raportuan për masat e administrimit të zjarreve, Çako sqaroi se strukturat në terren janë përgatitur për të punuar me të gjitha kapacitetet dhe se flotës ajrore të mbrojtjes civile do t’i shtohen disa avionë “Air Tractor”, por kjo sipas tij nuk mjafton.
“Nuk mund të shpresojmë se zjarret do t’i fikim vetëm me avionë, duhet të angazhohemi në terren me të gjitha kapacitetet”, tha Çako. Stina e zjarreve, mblodhi vendoret ne nivel qarku ne Fier, edhe për të diskutuar si masë parandaluese asfaltimin e rrugëve rurale.
Me qindra hektarë pyje të djegura dhe mijëra rrënjë dru frutorë, qarku i Fierit rezulton me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore edhe këtë vit. Hapja e rrugëve malore dhe vendosja e hidrantëve në zonat pyjore mbeten me rëndësi për menaxhimin e zjarreve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatave. “Duhet të krijohet akses për hidrantë, vendburime uji, por edhe duke paralajmëruar e sensibilizuar komunitetin që në pjesën më të madhe, papërgjegjshmëria për të djegur mbeturinat bujqësore shndërrohet në një faktor të jashtëzakonshëm në zjarret masivë”, tha Çako.
Mungesa e rrugëve të tilla të quajtura edhe rrugë malore, ishte ndër faktorët që përkeqësuan situatën e zjarreve në zonat e mbrojtura të Darëzezës dhe Pishë-Poros dy vjet më parë me një bilanc prej 700 hektarësh pyll të djegur. Në Fier gjatë vitit 2025, bilanci i dëmeve nga zjarret ishte më i ulët se dy vjet më parë, megjithatë me 300 hektarë pyll të djegur dhe 3297 rrënjë dru frutorë vlerësohet një situatë e rëndë.
KOHA JONË SONDAZH

