Stipe Mesiç nga Tirana: Milosheviçi dështoi me shqiptarët

 

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, prezantoi në Tiranë një libër tashmë të përkthyer edhe në shqip, me të gjitha kujtimet e tij mbi rënien e ish- Jugosllavisë.

“Unë me anën e këtij libri dua të kujtoj se çfarë ka ndodhur në ish-Jugosllavinë e kohës. Jugosllavia nuk ka qenë aq e izoluar sa Shqipëria. Ajo përbëhej nga 6 republika dhe 2 krahina autonome. Ajo mbahej nga tri elemente që përbënin shtetin, Tito me karizmën e vet, Partia Komuniste si parti e vetme dhe ushtria. Kjo e fundit dëgjonte vetëm Titon dhe partinë. Tito vdiq, partia u shkatërrua. Në krye të Serbisë erdhi Sllobodan Millosheviçi, i cili nuk donte as federatë, as konfederatë, vetëm Serbinë e madhe”, tha Mesiç.

Duke shtuar se ka “risjellë” në jetë një pjesë të shënimeve nga ditari personal, nga koha kur ka qenë, aq sa i është dhënë mundësia të ishte, president i kolektivit të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare.

Në këtë ditar të tij, gjithçka flet për periudhën 15 maj 1990-15 maj 1992, kur republikës së Kroacisë i takonte posti i zëvendës-kryetarit dhe më pas edhe e kryetarit të shtetit.

Mes të tjerash, në librin e tij Mesiç u kushton një vend edhe shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar planin e Sllobodan Millosheviçit për largimin e tyre nga trojet e Kosovës dhe zëvendësimin e tyre me serbë.

“Millosheviçi donte vetëm Serbinë e madhe dhe etnike. Ai donte të bashkonte Kroacinë me Bosnjën së bashku me Malin e Zi. Ndërsa për sa i përket shqiptarëve të Kosovës dëshironte t’i largonte nga trojet e tyre dhe t’i popullonte me qytetarë serbë. Por që të merreshe vesh me Millosheviçin ishte e pamundur, ndaj alternativa e vetme ishte që ta ndaheshim dhe të shihnim për vetëvendosje. Millosheviçi nga ana e tij mashtronte Perëndimin duke u shprehur se do më të mirë për të gjitha shtetet e Jugosllavisë. Serbëve u thoshte se do të jetoni më së miri në një shtet, por kjo ishte një gënjeshtër pasi ata jetonin në Serbi, në Kroaci, në Bosnjë dhe në shtete të tjera, ndaj për këtë qëllim ai u thoshte rrëmbeni armët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë të gjithë të bashkuar. Por në këtë pikë pati një shpërbërje të ushtrisë pas daljes prej saj të kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve dhe shqiptarëve. Ideja e Millosheviçit ishte që të largonte rreth 250 mijë serbë nga shtëpitë e tyre për t’i vendosur në Kosovë. Për këtë qëllim ai e ndaloi autonominë e Kosovës, të gjithë shqiptarët që ishin në funksion të autonomisë i hoqi. Plani i tij ishte që gjithë shqiptarët e Kosovës që do të zboheshin nga trojet e tyre, një pjesë do të vendoseshin në Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër do të shpërnguleshin në Shqipëri”, citon gjithashtu ish- presidenti kroat.

Sipas Millosheviçit me dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, do të krijohej një situatë destabiliteti edhe në vendet ku ata do të “emigronin” si në Maqedoni apo Shqipëri. Por në fund gjithçka përfundoi në një dështim, me nisjen edhe të një lufte të armatosur.

“Sipas tij, këta 2 milionë shqiptarë që do të largoheshin nga Kosova do të krijonin një situatë destabilizimi si në Maqedoni edhe në Shqipëri. Millosheviçi mendonte si ishte personi i duhur për rajonin dhe Perëndimi do ta lejonte që të ushtronte “funksionin” e tij për të krijuar një situatë “paqeje” si në Shqipëri edhe në Maqedoni. Mirëpo plani i Millosheviçit dështoi. Kosovarët u bashkuan, formuan UÇK-në dhe kundërshtuan me luftë regjimin e tij. Serbët nuk dëshironin që të shpërnguleshin në Kosovë, shqiptarët nga ana tjetër nuk dëshironin të largoheshin nga trojet e tyre në Kosovë dhe plani i Millosheviçit për të krijuar Serbinë e madhe nuk u realizua. Si përfundim gjatë luftës mbetën të vdekur qindra mijëra banorë, të plagosur akoma më shumë, por kufijtë nuk lëvizën asnjë milimetër", konkludon ai.

SHKARKO APP