Stresi: Unë jam Azem Hajdari i dytë, hajdeni më vrisni mua po ua mbajti
Këngëtari i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, ka qenë në mesin e protestuesve pasditen e kësaj të mërkure që u zhvillua përpara Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha që u vra nga efektivi i forcave “Shqiponja”.
Në një prononcim për mediat përpara hyrjes së godinës së Ministrisë së Brendshme, aty ku ishin grumbulluar fillimisht protestuesit, Stresi është shprehur se protestën e ka organizuar ai.
“Unë e kam organizuar këtë protestë. Hajde më vrisni mua si Klodianin, ndyrësirat e m*tit. A doni të më vrisni mua? Keni për të vrarë gjithë këta “Klodianët”.
Nesër do të arrestohem, do jem krenar që do shkoj në qelitë e paraburgimit. Për çfarë? Se s’ka drejtësi për një vëlla tonin. Asnjë s’ka për t’u dorëzuar.
Nuk është miting pleqsh, është miting çunash, është miting populli, është miting të rinjsh. E kemi zemrën hekur. Këtu na keni.
Jeni mësuar ju, unë jam Azem Hajdari i dytë, unë sot organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, u shpreh këngëtari.
Gjatë marshimit të qytetarëve, Stresi u bëri thirrje protestuesve që të mos konfliktohen me punonjësit e policisë, duke u shprehur: “S’ka njeri punët me policët. Një polic i poshtë nuk e ndot gjithë uniformat e policisë. Nuk janë të gjithë si ai”.
25-vjeçari Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të së martës nga në punonjës i policisë. Efektivi qëlloi me armë të riun duke i shkaktuar vdekjen, me pretendimin se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe se në dorë mbante një objekt në dukje si armë.
Por nga hetimet e deritanishme të SHÇBA, Klodian Rasha nuk rezulton të ketë qenë i armatosur. Efektivi i forcave “Shqiponja” u arrestua dhe akuzohet se ka përdorur armën në tejkalim të kompetencave të tij, pasi nuk ndodhej përpara një situate të rrezikshme. /Tema