Struktura për Mbrojtjen e Votës, Tabaku: Mblodhi prova për 6 dosje që çuam në SPAK
Kandidatja për deputete e PD-së, Jorida Tabaku, e cilësoi të papranueshme ngjarjen e rëndë që ndodhi në Elbasan, duke e konsideruar se ndodhi në nxitim e sipër. Ajo hodhi dyshime për reagimin e policisë në këtë rast.
“Ditët e fundit eksponentë të krimit po blinin vota dhe ushtronin presion. Ajo që ndodhi në nxitim e sipër është e papranueshme, por po kështu është dhe sjellja e qeverisë. Nuk ka asgjë që ne po bëjmë që bie në kundërshtim me ligjin. Ligji thotë që kushdo që ushtron presion për blerjen e votës duhet denoncuar në polici dhe ne këtë bëmë. Pikëpyetja e madhe është përse policia nuk mori masa, nuk mbrojti qytetarët”, tha Tabaku për ”A2cnn”.
Po ashtu, Tabaku dha shpjegime të tjera për strukturën e ngritur në Partinë Demokratike për mbrojtjen e votës. Sipas kandidates demokrate, kjo strukturë nuk po bën asgjë të kundërligjshme dhe ishte pikërisht ajo që ndaloi makinën me 70 milionë lekë në Dibër, si dhe ka përgatitur disa nga dosjet për krime zgjedhore që ka dorëzuar në SPAK.