Studentët e Universitetit ”Nënë Tereza” vizitë në Tiranë, priten nga ministri Blendi Gonxhja dhe ambasadori Denion Meidani
Një grup studentësh të Universitetit “Nënë Tereza” nga Shkupi zhvilluan një vizitë njëditore në Tiranë, ku u pritën nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Gonxhja, si dhe nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani. Në kuadër të kësaj vizite, studentët vizituan Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një nga institucionet më të rëndësishme të kujtesës historike në Shqipëri, ku u njohën me periudha të rëndësishme të historisë së vendit dhe me rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
Pas vizitës në muze, ministri Gonxhja zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët mbi rëndësinë e kulturës, trashëgimisë dhe rolit që të rinjtë kanë në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Ai theksoi se takime të tilla krijojnë mundësi të reja për shkëmbim përvojash, bashkëpunim dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme mes brezave të rinj. Në këtë kuadër, u diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Rinisë për zhvillimin e programeve të përbashkëta që nxisin mobilitetin, pjesëmarrjen aktive të të rinjve, shkëmbimet kulturore dhe projektet që forcojnë lidhjet mes të rinjve shqiptarë në rajon.
Nga ana e tij, ambasadori Meidani theksoi se Universiteti “Nënë Tereza” mbart një vlerë të veçantë simbolike, duke qenë se mban emrin e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar dhe një personaliteti që vazhdon të frymëzojë breza të tërë. Ai vlerësoi rolin e universitetit në edukimin e të rinjve dhe në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në rajon, duke nënvizuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar mbi miqësi, bashkëpunim dhe vlera të përbashkëta.
Ambasadori Meidani theksoi gjithashtu se investimi te rinia dhe krijimi i sa më shumë mundësive për shkëmbim, bashkëpunim dhe njohje reciproke mes studentëve të dy vendeve mbetet një ndër mënyrat më të mira për të forcuar më tej këto lidhje dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të afërt dhe më dinamike. Vizita u konsiderua një mundësi e vlefshme për studentët e Universitetit “Nënë Tereza”, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve akademike, kulturore dhe rinore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
KOHA JONË SONDAZH




