Studentet konviktore, një karrocë dhuratë nga mbledhja e tapave plastike

 

Një ceremoni simbolike, prekëse e njëkohësisht mjaft domethënëse ishte ajo e zhvilluar dje pasdite në kryeqytet, ku studentet konviktore të akomoduara në mjediset e Shoqërisë së Trajtim Studenti nr.2, i kanë dhuruar një karrocë për persona me aftësi të kufizuara babait të një prej shoqeve të tyre, i cili nuk kishte mundësi financiare për ta siguruar atë. Kjo karrocë u mundësua nga vetë djemtë e vajzat konviktore, që për një vit më radhë mblodhën tapa plastike, duke iu bashkuar nismës së drejtorit të këtij institucioni, z.Viron Bezhani. Ky i fundit, dje ishte i kënaqur dhe i lumtur që arriti të realizojë objektivin e vënë një vit më parë, ku premtoi se do të siguronte një karrocë falë edhe mbështetjes së Albanian Cap Project (CAP), që ishte partnere e kësaj nisme dhe mundësoi sjelljen e karrocës.
Kur një vit më parë thashë para studenteve se ne do të arrijmë të realizojmë objektivin që të marrim një karrocë kisha besimin se ju do të më mbështesnit në këtë nismë. Dhe ju nuk më tradhëtuat, por më qëndruat pranë në këtë inisiativë kaq fisnike e bujare dhe së bashku ia dolëm mbanë të bëjmë të pamundurën realitet. Jo vetëm për të mbledhur tapa plastike, por në fund të fundit edhe për të patur një ambient më të pastër. Ju, djem e vajza, keni treguar këto muaj të fundit se bashkëjetesa në komunitet, siç është kjo e jetës në konviktit, mund të ndryshojë jo pak jetën e njeriut. Keni njohur, përshëndetur, keni mësuar dhe jetuar me shoqe të reja, të cilat sot janë bërë mikeshat tuaja më të mira. Vetë ju vajza ndihmuat një shoqen tuaj edhe pse nuk e njihnit atë”, tha Bezhani, që më tej shtoi.
“Sot, një njeri më shumë në këtë botë do të jetë më shumë i lumtur prej aktit tuaj human, një prind, babai i një shoqeje tuaj, por nesër do të bëjmë të lumtur një tjetër njeri. Studentë, ju jeni protagonistët e kësaj ceremonie kaq të veçantë e simbolike për të cilën jemi mbledhur sot, ndaj përulem para jush, këtij gjesti tuaj për të mbledhur tapa e dhuruar një karrocë për personat me aftësi të kufizuara”, tha Viron Bezhani, drejtori i Trajtimit Studentor nr.2. Ai shoqërohej në këtë ceremoni nga zv.Ministrja e Arsimit e Sportit, znj.Nora Malaj dhe znj.Merita Xhafaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
Të dyja e përshëndetën dhe mbështetën nismën e Trajtimit Studentor nr.2, madje kërkuan që djemtë e vajzat konviktore të mos ndaleshin në këtë inisiativë kaq fisnike, duke e përhapur atë sa më shumë edhe në qytete të tjera. Si znj.Malaj ashtu dhe znj.Xhafaj premtuan mbështetjen maksimale të Ministrive ku ato drejtojnë, pasi të tilla nisma i shërbëjnë komunitetit, duke treguar se humanizimi arrin të triumfojë gjithnjë në të mirë të shoqërisë, e cila gjithnjë ka nevojë për të tilla modele, si ai i dhuruar dje nga djemtë e vajzat konviktore të Trajtimit Studentor nr.2.
Fjalë emocionuese edhe nga z.Hysni Duka, që përfitoi këtë karrocë, duke falënderuar si z.Bezhani ashtu dhe vajzat konviktore, që i dhanë atij mundësi të pajisej me karrocë, pasi për të kjo gjë ishte e pamundur financiarisht. Edhe vajzat konviktore u shprehën të kënaqura që mundi i tyre u realizua me sukses, duke duartrokitur jo pak fjalët e z.Duka, që dje përjetoi një emocion të veçantë i shoqëruar edhe nga vajza e familjarët e tij nga Burreli. Për të përshëndetur të emocionuara këtë ceremoni të veçantë mbi 100 djem, vajza e punonjës të Trajtimit Studentor nr.2 morën pjesë në momentin e dhurimit simbolik të karrocës, duke premtuar se do të vijojnë këtë nismë edhe në të ardhmen.

SHKARKO APP