
Protesta që nisi si një qëndresë paqësore e flamingove, në tetor mori një tjetër drejtim, duke u shndërruar në revoltë dhe duke sjellë përplasje fizike mes studentëve dhe policisë. Për Iris Kolën, ky ndryshim është pasojë e drejtpërdrejtë e shpërfilljes së vazhdueshme të kërkesave të protestuesve nga politika. Kola e cilëson Ministrinë e Arsimit si institucionin që duhet të mbajë përgjegjësi i pari, duke e lidhur këtë me situatën e krijuar në universitete dhe përplasjet me studentët. “Dorëheqje të kabinetit qeveritar. Ministria e Arsimit duhet të ishte e para që të dorëhiqej, pasi auditorët i ka bosh dhe studentët i ka të lyer me gjak”, u shpreh ajo.
Pavarësisht mungesës së një lideri të vetëm që t’i përfaqësojë, studentët duket se kanë ndërtuar një formë organizimi të mbështetur te bashkërendimi dhe ndarja e roleve. Sipas Kolës, secili ka një detyrë të caktuar, nga ndihma mjekësore te qëndrimi në vijën e parë të protestës.
“Studentët protestojnë me zërin dhe forcën. Ne jemi të organizuar: dikush merret me mjekimin, dikush tjetër është te vija e parë e revoltës, dikush siguron gurët. Është e organizuar dhe ka ardhur krejtësisht organike”, tha Kola.
Përtej protestës së momentit, ajo sheh si model edhe lëvizjen studentore në Serbi. Sipas saj, përvoja e studentëve serbë duhet të shërbejë si nxitje që të rinjtë shqiptarë të ndërtojnë një lëvizje të pavarur politike, pa ndikimin e partive apo organizatave të tjera. “Studentët e fituan dhe është një lëvizje që edhe në Shqipëri duhet të fillojë për studentët dhe nga studentët, pa përfshirjen e politikës, OJF-ve apo OJQ-ve”, theksoi ajo për ”TCH”.
