Studentët shqiptarë protestë më 18 Maj, Lorik Cana: E drejtë e fituar me sakrificën e paraardhësve
Më 18 maj në Shkup pritet të zhvillohet një protestë e re nga studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe – një kërkesë që ata e konsiderojnë themelore për barazi dhe respekt të të drejtave gjuhësore.
Thirrja për pjesëmarrje ka marrë mbështetje edhe nga figura të njohura publike, përfshirë ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili ka dhënë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e gjuhës si identitet dhe të drejtë themelore.
“Gjuha është një nga shtyllat e identitetit. Kur ajo mohohet, mohohen edhe të drejtat për barazi, zhvillim dhe përkatësi. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se e drejta jonë për të studiuar dhe për të dhënë provime në gjuhën tonë amtare”, ka deklaruar Cana, duke i bërë thirrje qytetarëve për bashkim dhe mbështetje.
Protesta shihet si një tjetër përpjekje për të rihapur debatin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në arsimin e lartë dhe në provimet profesionale në Maqedoninë e Veriut.
KOHA JONË SONDAZH


