Studenti shoqërohet në polici, për çantën e dyshuar te parku “Rinia”

Çanta blu me mbishkrimin “Mos Prek” e gjetur në një prej stolave tek shatërvani pranë parkut “Rinia” alarmoi policinë dhe krijoi shqetësim tek qytetarët për gati 1 orë paraditen e sotme.

Njoftimi kishte mbërritur tek numri  129.  Rreth orës 08: 45 minuta u bë rrethimi i zonës dhe policia nisi evakuimin e saj.

Ndërsa forcat xheniere nisën punën për të kryer shpërthimin e kontrolluar gazetari i Ora News, Andi Qosja informoi se një person është shoqëruar në polici.

“Personi i ndaluar është një djalë i cili lëvizte shpesh pranë çantës  me kapuç dhe me syze. Kjo i ka bërë policët të dyshojnë. Rruga që të con nga “Tajvani” drejt Kishës Ortodokse është evakuar tërësisht. Janë larguar dhe të gjithë njerëzit që ndodhen në atë zonë apo dhe kureshtarët. Edhe ne gazetarët jemi larguar disa metra më tutje” informon gazetari ynë.

Në orën 09: 52: ndodh shpërthimi i kontrolluar nga njësitë antieksploziv.

Nuk dihet ende se çfarë përmban çanta por ajo që dihet është se nuk ka pasur lëndë eksplozive.

Në orën 12:oo policia sqaron se personi i shoqëruar në komisariatin nr 3 është Bruno Pëllumbi, pronari i çantës. Djaloshi nga Lezha është student në Gjeologji- Minierë viti i dytë.

SHKARKO APP