Studentja kërcënohet nga ish i dashuri: Do t’ju vras si familje

Nuk janë të pakta rastet në Shqipëri kur në një marrëdhënie dashurie, të rinjtë, përgjithësisht meshkujt, e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen.

Një histori e tillë është edhe ajo e djalit E.P i cili pas ndarjes nga e dashura e tij, një studente nga Korça në vitin e tretë për Juridik në kryeqytet, ka shkuar deri aty sa të kërcënojë me jetë familjen e saj nëse kjo e fundit nuk i rikthehej sërish lidhjes me të, shkruan “Shqiptarja.com”.

Kjo i ka kushtuar burgun të riut, i cili është dënuar nga Gjykata me 40 ditë burgim për veprën penale të “Kanosjes”.

“Do t’ju vras të gjithëve si familje po qe se vajza juaj nuk do bëjë çfarë t’i them unë”. Është ky mesazhi që ka mbërritur në telefonin celular të familjes së vajzës në Korçë, në nëntor të 2015-ës.

Në këto kushte, nëna e të resë është nisur drejt Tiranës e së bashku me vajzën kanë bërë kallëzim në polici. Prej korrikut të vitit të kaluar, studentja nga Korça kishte pasur një lidhje me E.P e para disa kohësh janë ndarë për arsye xhelozie nga ana re djalit.

Sipas kallëzimit të vajzës, ish i dashuri “nëpërmjet thirrjeve e mesazheve telefonike ka arritur deri në kërcënime fizike”. Në rrethanat e pasigurisë për jetën e saj e të familjes, studentja e Juridikut ju drejtua policisë për të kallëzuar ish-të dashurin e saj.

SHKARKO APP