Studimi i BB: Ja sa humbet çdo vit Shqipëria nga tërmetet dhe përmbytjet
Referuar të dhënave të Bankës Botërore, vendi ynë ka humbje mesatare vjetore nga tërmetet që vlerësohet të jetë 6.23% të PPB-së dhe humbje mesatare vjetore nga përmbytjet 1.56% e PBB-së.
Sipas Bankës Botërore, humbjet nga një tërmet i madh me periudhë rikthimi 250-vjeçare do të ishin 60% e PBB-së, ndërsa nga një tërmet me periudhë rikthimi 100-vjeçare 30% e PBB-së.
Shifrat e mësipërme evidentohen në relacionin e aktit normativ për rindërtimin nga tërmeti I 26 nëntorit, raporton “Scan”.
Në këtë aspekt, evidentohet në relacion, vendi ynë duhet të ketë një kuadër rregullator i cili, përveç parandalimit, koordinimit dhe përgatitjes në rast të fatkeqësive natyrore, duhet të rregullojë menaxhimin në mënyrë efektive të pasojave afatmesme dhe afatgjata të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe fatkeqësive të tjera duke parashikuar detyrat e autoriteteve përgjegjëse në këtë aspekt, programet dhe procedurat përkatëse të rindërtimit me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurisë kombëtare.
“Rimëkëmbja nga gjendja e fatkeqësisë natyrore ka qëllim garantimin e kthimit të çdo subjekti të prekur nga fatkeqësia natyrore në gjendjen fillestare, nxitjen e praktikave që ulin mundësinë për shkaktimin e pasojave në të ardhmen nga fatkeqësitë natyrore si dhe forcimin e aftësisë së komuniteteve të prekura për t’i bërë ballë gjendjeve të fatkeqësive natyrore në të ardhmen.
Autoritetet publike përgjatë procesit të rindërtimit janë të detyruara të garantojnë përdorimin e kushteve e të teknikave që parandalojnë rreziqet e reja të fatkeqësive natyrore në të ardhmen në përputhje me objektivat socialë të shtetit të sanksionuara nga neni 59 i Kushtetutës, parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, strehimit të përshtashëm, barazisë dhe mosdriminimit, informimit dhe transparencës, si dhe parimin e kontrollit dhe përgjegjshmërinë e burimeve financiare.
Në thelb ky akt normativ përshkrohet nga koncepti “rindërto më mirë” shkruhet në relacionin e aktit të miratuar nga qeveria.