Stuhi, ndalohet lundrimi i varkave e peshkarexhave për disa ditë
Mot i keq në qarkun e Vlorës dhe veçanërisht në zonën bregdetare. Kapiteneria dhe Autoriteti Portual Vlorë njoftojnë se për 4 ditët e ardhshme do të ketë mot të keq dhe me dallgë, duke pamundësuar lundrimin për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit, por nuk do pengohet puna e anijeve të transportit, përfshi edhe tragetet. Përkeqësimi nis ditën e nesërme (20 Nëntor) dhe pritet të zgjasë deri në datën 23 Nëntor, (e shtunë). Rreth orës 18:00 të së shtunës parashikohet edhe rikthimi i lundrimit për mjetet e mësipërme.
Njoftimi zyrtar për situatën
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuara gjatë datave 20-23.11.2024. Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 20-23.11.2024, duke filluar nga ora 12:00 e datës 20, në drejtimin JUG-JUG-PERËNDIM dhe VERI-VERI-PERËNDIM, në forcën deri 6-7 bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1-Është ndaluar paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 12:00 datë 20.11.2024.
2-Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.
3-Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4-Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 18:00 të datës 23.11.2024.