Sudan, Selia e Shenjtë në OKB thirrje urgjente: Të garantohet qasja në ndihmat humanitare dhe të nisë, pa asnjë parakusht, një dialog
Imzot Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, i bëri një thirrje urgjente Këshillit për të Drejtat e Njeriut që të mbrohen civilët, të garantohet qasja në ndihmat humanitare dhe të nisë, pa asnjë parakusht, një dialog për t’i dhënë fund luftës në Sudan.
Vatican News
Selia e Shenjtë shprehu shqetësimin e saj të thellë për përkeqësimin e shpejtë të situatës humanitare dhe të sigurisë në El Obeid dhe në zonat përreth të Sudanit. Rreth gjysmë milioni banorë, shumë prej tyre të zhvendosur nga El Fasher dhe nga vise të tjera të Kordofanit, përballen me përshkallëzimin e luftimeve dhe me rrezikun e afërt të rrethimit të qytetit.
Këtë e deklaroi imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, gjatë ndërhyrjes së tij më 3 korrik në diskutimin urgjent të Këshillit për të Drejtat e Njeriut mbi situatën në El Obeid dhe zonat fqinje.
Mbrojtja e civilëve është detyrim ndërkombëtar
Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë i kujtoi bashkësisë ndërkombëtare përgjegjësitë që i takojnë, duke sjellë në vëmendje tragjedinë e El Fasherit dhe duke theksuar nevojën për të mos lejuar që ajo të përsëritet.
Imzot Balestrero ritheksoi se e drejta ndërkombëtare humanitare është detyruese për të gjitha palët e përfshira në konflikt, pa asnjë përjashtim. Mbrojtja e civilëve, e vendeve të kultit, e spitaleve, e personave të zhvendosur dhe e punonjësve humanitarë mbetet një detyrim themelor edhe në kohë lufte.
Një rrethim i papranueshëm
Selia e Shenjtë shprehu gjithashtu shqetësim të madh për pengesat në rritje ndaj hyrjes së ndihmave humanitare dhe për kushtet që po e shndërrojnë El Obeidin në një qytet të rrethuar. Mungesa e ushqimit, e ujit dhe e karburantit po rëndohet dita-ditës, ndërsa shërbimet jetike të qytetit vazhdojnë të jenë objekt sulmesh.
“Uria e shkaktuar ndaj popullsisë civile nuk mund të përdoret kurrë si metodë lufte”, deklaroi prelati, duke kujtuar fjalët e fundit të Papës Leoni XIV, sipas të cilit qasja në ushqim të mjaftueshëm është një e drejtë themelore e çdo njeriu.
Selia e Shenjtë vuri në dukje edhe rëndësinë strategjike të El Obeidit, si korridori kryesor përmes të cilit ndihmat humanitare arrijnë në Darfur dhe në pjesën më të madhe të rajonit të Kordofanit. Izolimi i qytetit, paralajmëroi imzot Balestrero, do të kishte pasoja shumë më të rënda humanitare, duke rrezikuar furnizimin me ndihma për zona të tëra të vendit.
Angazhimi humanitar i Kishës
Në këtë kontekst, përfaqësuesi i Vatikanit kujtoi angazhimin e vazhdueshëm të Kishës Katolike në ndihmë të personave të zhvendosur, përmes shpërndarjes së ushqimit dhe ujit, si edhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore e higjienike.
Duke ripohuar se “nuk ka një zgjidhje ushtarake për krizën në Sudan”, Selia e Shenjtë rinovoi thirrjen e Papës drejtuar palëve në konflikt që të heshtin armët dhe të nisin, pa asnjë parakusht, një dialog të sinqertë për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës.
Në përfundim, delegacioni i Selisë së Shenjtë kërkoi respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, heqjen dorë nga çdo sulm kundër El Obeidit dhe hapjen e korridoreve të sigurta për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare dhe asistencën për popullsinë civile.
KOHA JONË SONDAZH

