Suel Çela në shenjestrës të OFL: A do të sekuestrohet tregu ushqimor i Elbasanit?

Sot Operacioni Forca e Ligjit paralajmëroi se do t’u sekuestrojë pasurinë brenda 48 orësh nëse ata nuk arrijnë ta justifikojnë. Bëhet fjalë për dy personazhe shumë të njohur të botës së krimit, Plarent Dervishaj dhe Suel Çelaj.

Le të ndalemi tek i dyti. Sipas OFL-së, Suel Çela me banim në Elbasan, rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh. Por edhe pse rezulton i dënuar, ai ka arritur ti shpëtojë burgut.

Ndaj tij ka patur një proces dhe në Shqipëri, por vetëm 3 muaj më parë u shpall i pafajshëm!

Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Celën për sulmin ndaj policisë tek tregu ushqimor i Elbasanit. Ngjarje kjo që tronditi opinionin publik në shtator 2017 kur dolën pamjet e Audit të zi, të blinduar që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

Partia Demokratike reagoi ashpër duke thënë se “me shpalljen e Çelës të pafajshëm drejtësia ka rënë, kriminelët blejnë vota për Edi Ramën dhe drejtësisa nuk është e lirë të ndëshkojë krimin”.

Por PD ka shkuar edhe më tej. Ajo ka deklaruar se familja Çela ka mbështetjen e ish-kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Tregu ushqimor i Elbasanit, pronë e Petrit Çelës, babai i Suelit është inauguruar disa vite më parë nga Rama dhe Sejdini.

Denoncimi për pasurinë

Në vitin 2017, fill pas incidentit tek tregu ushqimor, në media doli lajmi se policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materiale dhe dokumente, ku përmenden hotele dhe biznese që dyshohet se u përkasin familjeve Çapja dhe Çela. Asokohe thuhej se do verifikonte pasuritë e Petrit Çelës, ku përfshihen Tregu Agro-Ushqimor, shtëpi, vila dhe dyqane në qytetin e Elbasanit.

Edhe pse u tha se kanë nisur hetimet, pasuritë e tyre nuk u preken asnjëhere.

Familjet kriminale Capja dhe Cela

Ndërsa, gazetari investigativ Artan Hoxha, disa vite më parë ka folur për përplasjen mes fiseve më me influencë në Elbasan Çapja dhe Çelaj. Sipas tij, Çapja ka patur mbështetjen e PD kur ajo ishte në pushtet, ndërsa Çelajt sipas tij kanë patur mbështetjen e PS-së. Nga hakmarrja mes dy fiseve janë shënuar një numër i madh viktimash, shumica prej tyre janë ngjarje të pazbardhura, që nga 2005 e në vazhdim. /abcnews.al

Në foto: Rama, Sejdini, Cela

SHKARKO APP