Sula: Standardet etike dhe profesionale duhet të udhëheqin punën e inspektorëve

Inspektorati i Përgjithshëm njoftoi zbatimin e një programi të avancuar trajnimi që synon kualifikimin shumëdimensional të inspektorëve në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të reformimit të thelluar të sistemit të inspektimit dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Gjatë një takimi me trupën inspektuese, Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula theksoi rëndësinë e angazhimit direkt në terren dhe komunikimit me inspektorët. “Inspektori i Përgjithshëm nuk duhet të jetë vetëm i zyrave dhe t’i shohë gjërat nga larg. Inspektorët në terren përballen çdo ditë me problematika konkrete, të cilat unë duhet t’i dëgjoj, të marr mendime, të diskutojmë së bashku dhe në fund të nxjerrim konkluzione”, u shpreh Sula.

Sula vuri theksin edhe te standardet etike dhe profesionale që duhet të udhëheqin punën e inspektorëve. “Inspektori duhet të demonstrojë qytetari dhe drejtësi në raport me problematikat që has gjatë inspektimit të një subjekti. Qasja jonë ka qenë që masa e parë ndaj biznesit të jetë paralajmërimi dhe këshillimi, jo gjobat dhe presioni i menjëhershëm”, theksoi ai. Megjithatë, ai sqaroi se kjo qasje nuk përjashton masa më të forta në raste të shkeljeve të rënda. “Në raste të caktuara, kur shkeljet sjellin pasoja të rënda për qytetarët, masa nuk mund të jetë paralajmërimi. Në këto raste kërkohet reagim i menjëhershëm nga trupa e inspektimit”, tha Sula.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një njoftim zyrtar, Inspektorati i Përgjithshëm thekson se miratimi i Ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të funksionit të inspektimit. Ligji vendos një qasje të re, duke kaluar nga kontrolli tradicional në një model të integruar që ndërthur zbatimin e ligjit, parandalimin, këshillimin dhe bashkëpunimin me subjektet ekonomike. Sipas institucionit, kualifikimi i inspektorëve nuk kufizohet vetëm në njohjen e kuadrit ligjor dhe procedural, por kërkon një formim të plotë që përfshin zotërimin e legjislacionit dhe standardeve teknike, zhvillimin e aftësive të buta si komunikimi dhe menaxhimi i konflikteve, si dhe përvetësimin e praktikave të lidhura me qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjësimin mjedisor.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky dimension i ri i formimit profesional synon që inspektorët të veprojnë jo vetëm si autoritete kontrolluese, por edhe si këshilltarë të besueshëm dhe partnerë të biznesit në përmbushjen e standardeve ligjore, mjedisore dhe etike. Një qasje e tillë pritet të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e përputhshmërisë vullnetare dhe reduktimin e shkeljeve.

Programi i trajnimit është konceptuar për të adresuar sfidat reale në terren dhe për të standardizuar praktikat e inspektimit, duke rritur profesionalizmin, integritetin dhe efikasitetin e trupës inspektuese. Përmes metodave bashkëkohore dhe interaktive, synohet ndërtimi i një kulture institucionale moderne, ku inspektimi shihet si një proces transparent, i drejtë dhe i orientuar drejt zgjidhjes. Inspektorati i Përgjithshëm thekson se ky investim në kapitalin njerëzor është kyç për forcimin e shtetit ligjor, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?