Sulm me thikë në xhami, i riu plagos 5 persona
Një person i armatosur është futur në ambientet e xhamisë te “Dine Hoxha” te ”Rruga e Kavajës”, duke plagosur me thikë 5 besimtarë myslimanë. Personi që ka hyrë në xhami është Rudolf Nikolli. Ai është neutralizuar dhe arrestuar nga policia si dhe është sekuestruar arma e ftohtë thika, me të cilën ka plagosur 5 persona.
Policia bëri të ditur se personat e plagosur janë shtetasit Kleon Jaupaj, Amri Tola, Mariglen Konja, Donald Konja, Saba Peposhi, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Imami Ahmet Kalaja, në një prononcim për mediat, tha se besimtarët po adhuronin Zotin në ato momente. ”Falenderojmë policinë që ndërhyri në kohë dhe dha ndihmën e shpejtë. Agjërim të lehtë të gjithëve, paqja e Zotit qoftë mbi ju”.
Rudolf Nikollaj ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi më 11 mars 2021 ka kryer një tjetër plagosje, po në një situatë të ngjashme po të ndodhur në Terminali e Autobusëve për Jugun. Gjatë këtij konflikti ai plagosi Robert Kurtin dhe ishte shpallur në kërkim dhe nuk ishte kapur nga policia. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të saj. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Ende nuk dihen cilat kanë qenë arsyet e kryerjes së këtij akti të rëndë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.
Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.