Sulmi në Gjermani, reagon Sali Berisha: Dënoj me forcë aktin terrorist
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me sulmin terrorist në Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë hyri me shpejtësi në një treg Krishtlindjesh duke shkaktuar 5 viktima dhe 200 të plagosur. Lideri i opozitës dënoi aktin terrorist dhe u shpreh se autorët duhet të marrin ndëshkimin që meritojnë.
“200 të plagosur, 5 të vrarë në një akt terrorist e barbar në Magdeburg.
Dje tregu i Krishtlindejve i qytetit Magdeburg të Gjermanisë u përgjak. Një terrorist arab, mjek psiqkiatët nga Arabia Saudite u vërsul me makinën e tij mbi qytetarët në treg dhe vrau 5 persona dhe plagosi mbi 200 të tjerë.
Prokuroria gjermane deklaroi se “Referuar hetimeve të deritanishme, sfondi i krimit mund të ketë qenë pakënaqësia mbi mënyrën se si po trajtohen refugjatët nga Arabia Saudite në Gjermani.”
Autoritetet deklarojnë se gjendja e autorit të dyshuar të ngjarjes po ekzaminohet.
Duke i shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjeve të viktimave dhe autoriteteve të vendit, si dhe duke i uruar shërim të shpejtë të plagosurve, dënoj me forcën më të madhe këtë akt terrorist të rëndë dhe uroj që autori e mbështetësit e tij të marrin ndëshkimin që meritojnë”, shkruan Berisha.