Sulmi në Goshincë, Policia e Kosovës: Asnjë person i dyshimtë s’kaloi kufirin

Policia e Kosovës mohon në mënyrë kategorike që persona apo grupe kriminale të cilat pala maqedonase akuzon se kanë sulmuar stacionin e policisë në fshatin Goshincë, pranë kufirit me Kosovën të kenë dalë nga Kosova. Në një intervistë telefonike ekskluzive për Ora News,  dhënë në orën 09: 40 të 22 prillit 2015, zëdhënësi i kësaj policie Baki Kelani thotë se nuk ka pasur asnjë element të dyshimtë të kalimit të vijës kufitare as nga Kosova drejt Maqedonisë por as nag Maqedonia drejt Kosovës. Baki Kelani: “Ju konfirmoj se policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë element të dyshimit apo të kalimit të vijës kufitare nga individë apo grupe kriminale siç pretendohet nga pala maqedonase. Departamenti i policisë kufitare ka planin operativ për kontroll të vijës kufitare, duke përfshirë dhe planin e patrullimeve të përbashkët dhe ju konfirmoj se gjatë kryerejes së detyrave policiore nuk është vërejtur asnjë element i dyshimtë qoftë nga Kosova drejt Maqedonisë, apo nga Maqedonia drejt Kosovës. Ne i poseidojmë informacionet që pala maqedonase i ka bërë publike, por me rëndësi që nuk ka pasur asnjë element të dyshimtë të kalimit të grupeve që pala maqedonase pretendon. Nëse do të ndodhte ne do kishim marrë masat menjëherë pasi kemi forca policore të mjaftueshme”. Sulmi në stacionin e policisë në fshatin Goshincë në veri të Kumanovës, pranë kufirit me Kosovën ndodhi në orët e para të 21 prillit 2015. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë duke e quajtur akt terrorist deklaroi disa orë më pas se kishte identifikuar disa prej personave të cilët kishin kryer sulmin. Sipas kësaj ministrie ishin Xhevahir Ademi nga Gjilani udhëheqësi i grupit të armatosur. Ndërsa personat e identifikuar si Faruk, Kadri Bajrami ishin pjesëtarë të grupit të armatorus të përbërë, sipas ministrisë së Brendshme maqedonase, nga dyzet persona me uniforma të UÇK-së të cilët kanë çarmatosur katër policë në një fshat në afërsi të kufirit me Kosovën.

SHKARKO APP