Sulmi në “Manchester Arena” nga një kamikaz, 22 të vrarë dhe 59 të plagosur
Mediat britanike raportojnë se deri më tani numri i viktimave nga shpërthimi i një bombe vrasëse në “Manchester Arena” ka shkuar në 22 viktima dhe 59 të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në “Manchester Arena” në Angli, gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande.
Konfirmohet se shpërthimi i eksplozivit ka ardhur si pasojë e një sulmi terrorist, kjo përforcohet dhe nga Ian Hopkins, shef i policisë i cili ka pohuar për BBC se: “Personi që sulmoi “Manchester Arena” ka vdekur në vendin e ngjarjes menjëherë pasi ka aktivizuar eksplozivin”. Zyrtari i lartë ka shtuar se hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse personi ka vepruar i vetëm apo ka patur bashkëpunëtorë.
Ndërkohë, kryeministrja britanike Theresa May ka publikuar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti për familjet e viktimave. “Ngjarja po hetohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka deklaruar May në një komunikatë të shpërndarë nga Downing Street.
Ndërkohë, fushata elektorale në mbarë Britaninë e Madhe është ndërprerë për shkak të sulmit; ndërsa është paralajmëruar një mbledhje e qeverisë dhe Komitetit të emergjencës Cobra, me kërkesë të kryeministres.
Dëshmitë e para, tregojnë edhe për momentet e panikut dhe frikës. “Të gjithë filluan të vrapojnë dhe të ulërasin. Në tokë shikoje telefona dhe sende personale të njerëzve, të cilët ishin të frikësuar dhe duke qarë”, tha një nga dëshmitarët okularë.
Llogaritë e mediave sociale pro ISIS “kanë festuar” sulmin e dyshuar terrorist në një koncert të amerikanes Ariana Grande në Manchester Arena. Policia e Manchesterit ka konfirmuar deri më tani 22 viktima dhe 59 të plagosur.
Terroristët xhihadë e kanë cilësuar sulmin “një goditje të suksesshme dhe të habitshme” në Britani dhe pretendojnë se është një hakmarrje ndaj sulmet ajrore mbi objektivat e ISIS në Irak dhe Siri.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me shpërthimin në Mançester, ku humbën jetën deri më tani 22 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.
“Të shokuar nga lajmi i tmerrshëm për një sulm të dyshuar terrorist në Mançester. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për popullin britanik. Qëndrojmë të bashkuar”, thuhet në profilin e MPJ në Twitter.
-
Ariana Grande: Nuk kam fjalë!
-
“Kemi akoma”, mbështetësit e ISIS “festojnë sulmin në Manchester Arena”
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=FAXwJT-jF94″ width=”560″ height=”315″]