Surpriza/ Shkencëtarët gati të fillojnë kontaktet me jashtëtokësorët
Së shpejti do të dërgohen “letra” për jashtëtokësorët, me udhëzimin për lexim. Organizata jofitimprurëse METI nga San Francisco, njoftoi planet për të dërguar sinjale në hapësirë, të cilat do të njoftojnë jashtëtokësorët se nuk janë të vetëm në univers, shkruan Daily Mail.
“Messaging Extraterrestrial Intelligence”, është emri i plotë i organizatës që tani po shqyrton mënyrën më të mirë për të krijuar kontakte me krijesat përtej planetit tonë. Douglas Vakoch, President i METI beson se ne duhet të mendojmë mirë se si do të dëshironim që të prezantojmë veten.
“Jashtëtokësorët ndoshta janë duke pritur për një sinjal të qartë nga ne dhe për të treguar se jemi të gatshëm për të biseduar”, tha ai.
Organizata e tij ka në plan të dërgojë sinjalin e parë në fund të vitit 2018, me një fokus në mesazhet që tregojnë konceptet themelore matematikore dhe shkencore të cilat i ka zbuluar njerëzimi.
“Do të ishte ideale që të përdorin një transmetues të fuqishëm, të tillë si ai që përdoret në studimet planetare, siç është observatori Arecibo”, tha Vakoch. Disa sinjale tashmë kanë udhëtuar në hapësirë, në formën e kodit binar. Qysh në vitin 1974 u kemi dërguar jashtëtokësorëve informacion në lidhje me sistemin diellor, llojin e njeriut dhe biokiminë e planetit tonë, por me sa duket nuk na kanë dëgjuar.
Vakoch beson se atyre tani duhet t’u dërgojmë “manualin e përdorimit”, që të jenë në gjendje të deshifrojnë mesazhet tona.
“Edhe me kusht që alienët përdorin fotografi, mund të kenë mënyra të ndryshme të përfaqësimit të trupave të fortë në sipërfaqe dy-dimensionale”, tha ai. Megjithatë, disa shkencëtarë besojnë se një projekt i tillë është shumë i rrezikshëm dhe ka një mundësi që ne do të thërrasim specie armiqësore aliene. Mundet që alienët të jenë shumë me të sofistikuar se ne, njërëzit në Tokë, pra që zotërojnë teknologji të përparuar, të cilëm ne nuk e njohim dhe as e fantazojmë, për momentin.
Stephen Hawking beson se alienët ndoshta dëshirojnë që të kolonizojnë Tokën.
“Nëse na vizitojnë, rezultati ndoshta do të dukej si zbulimi i Amerikës nga Kolombo. Në këtë rast, ne do të ishim indianët”, tha në një intervistë astrofizikanti i njohur./GazetaExpress/