Ta bëjmë botën më të bukur – jo dhunës ndaj fëmijëve!

Dhuna ka qenë kryefjala e kohëve të fundit në Shqipëri. Në një jetimore në Shkodër u faktua se disa fëmijë janë dhunuar si dhe është abuzuar në mënyrë çnjerëzore ndaj tyre. Një nënë me fëmijë në krahë u dhunua në dritën e diellit në mes të Vlorës dhe fëmijët përpiqeshin ta mbronin nga dora e dhunshme e të atit. Dhe pak ditë më vonë na shfaqet “fenomeni Anjeza” dhe gjithë çfarë pasuan në rrjetet sociale. Kjo edukatore kopshti tashmë përballet me drejtësinë, pas dhunës së ushtruar ndaj fëmijës 3 vjeç, por sa “Anjeza” të tjera ekzistojnë?

19 nëntori është shënuar si Dita Botërore për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, por një ditë në vit nuk mjafton për të sensibilizuar opinionin publik. Raste si ato që përmendëm më sipër janë të shpeshta. Herë të fshehura dhe herë ndodhin para syve tanë, por të rralla janë rastet kur marrim guximin apo edhe mundimin për t’i denoncuar ato. “Jepini fëmijës më shumë liri: le të vrapojë, le të kërcejë, le të jetë i lirë, le të luajë dhe të argëtohet, le të mos jetë asnjëherë në qetësi”, shprehet Ruso. Por ndonjëherë kjo liri cungohet nga njerëzit më të afërt të fëmijës, siç është prindi, edukatorja apo mësuesja.

Organizata “Jeta” që ka si qëllim parësor mbrojtjen e të drejtave të gruas, fëmijës dhe familjes, reagoi ndaj këtij fenomeni të frikshëm në shoqërinë tonë me një mesazh shumë domethënës, pasi askush nuk ka të drejtë t’ua rrëmbejë buzëqeshjen këtyre fëmijëve. “Jeta”, në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave Shqiptare në Greqi, organizoi paralelisht tre aktivitete në tri degët e saj në Greqi: Athinë, Selanik dhe Patra.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fenerë fluturues, për të zbukuruar botën fëmijnore

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ta bëjmë botën më të bukur: të ndalim dhunën fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve” ishte mesazhi që përcollën aktivistet e organizatës “Jeta”. Në Athinë ky aktivitet u zhvillua në një nga bregdetet e kryeqytetit helen në orët e mbrëmjes, ku fëmijë e të rritur ngritën në qiell fenerë shumëngjyrësh fluturues, për të përcjellë një mesazh paqeje dhe harmonie. Nismëtarja e organizatës “Jeta” në Greqi, znj. Elona Kataro u shpreh se “dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të falet, nuk mund të tolerohet dhe as nuk mund të justifikohet. Asnjëherë dhuna e çfarëdo lloj forme nuk mund të përdoret për edukimin e fëmijës. Duhet punë e madhe për të sensibilizuar prindërit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre, duke justifikuar veten se “janë të lodhur nga problemet e jetës”. Fëmijët janë qeniet më të pafajshme që meritojnë veç dashuri. Sa i përket institucioneve shtetërore apo private që merren me kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, shteti kurrsesi nuk mund të qëndrojë indiferent, por duhet t’i monitorojë këto institucione dhe të marrë masa ndërshkuese për çdo abuzim”. E veçanta e këtij aktiviteti ishte dhe prania e valltareve të “Jetës”, veshur me kostume popullore, që kryesohej nga përfaqësuesja e “Jetës” Athinë, znj. Zamira Pilinci.

Një mesazh optimist nga majat e Meteoras

Aktivistet e “Jetës” Selanik u nisën drejt vendit të mrekullueshëm, Meteora, trashëgimi kulturore e UNESCO-s. Ky vend është një grumbull manastiresh që janë të ndërtuara majë shkëmbijve. Janë gjithsej 24 manastire që datojnë nga shekulli i 15-të. Në një prej pikave më të larta të saj, vajzat e “Jetës” shpalosën mesazhin e tyre në mbrojtje të fëmijëve të dhunuar. Përfaqësuesja e Selanikut, znj. Iris Hajdinaj, e cila ka një eksperiencë disa vjeçare si punonjëse në një organizatë joqeveritare në mbrojtje të fëmijëve të keqtrajtuar, u shpreh se: “këta fëmijë janë përballuar me forma të ndryshme dhune. Të gjithë këta fëmijë, me të gjetur një mjedis të ngrohtë dhe me dashuri, i përshtaten më së miri dhe i kthehen normalitetit. Kaq të vështirë e kishin prindërit tanë të na falnin pak dashuri?! Ky ishte mesazhi që lexonim në sytë e tyre. Ndaj, dhuro dashuri dhe jeta bëhet shumë më e lehtë dhe e bukur”.

Më e vogla e këtij aktiviteti ishte Nikol Hysa, 3 vjeçe, e cila mbante me doçkat e saj një prej gërmave të këtij mesazhi. Së bashku me nënën, Fatime Menalla edhe ajo iu bashkua kësaj nisme kaq të veçantë.

Festa e shkronjave, me një mesazh kuptimplotë

Ishin fëmijët e shkollës “Naim Frashëri”, pjesë e shoqatës “Emigranti” Patra, ata që ndihmuan për të përgatitur këtë parrullë kaq domethënëse. Gërmat shqip që mësuan gjatë vitit me mësuesit e tyre të mrekullueshëm, i vunë në dobi të një mesazhi mjaft domethënës të cilin e shpalosën gjatë festës së abetares. Përfaqësuesja e “Jetës” në Patra, znj. Afrodhiti Triha në fjalën e saj, ndër të tjera u shpreh se “vendi më i sigurt, më i qetë për fëmijët është familja ndaj të gjithë bashkë ta bëjmë më të sigurt këtë vend dhe të luftojmë të gjithë së bashku kundër dhunës fizike dhe psikologjike në mënyrë që të rrisim fëmijët tanë më të shëndetshëm”.

Të ndihmojmë fëmijët, të shpëtojmë të ardhmen!

Sipas UNICEF, çdo vit miliona fëmijë në botë bëhen viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike. Fëmijë në çdo shtet, kulturë apo nivel social, përballen me abuzime të formave të ndryshme. Këto abuzime ndodhin në familje, në shkollë, në komunitete të vogla apo të mëdha. Po ashtu edhe në vendin tonë dhuna ndaj vogëlushëve shpeshherë kthehet në dhunë “memece” pasi nuk e kapërcen pragun e shtëpisë apo institucioneve të ndryshme. Por zëri ynë le të buçasë dhe mos bjerë në vesh të shurdhët. Le t’i shembim muret e frikës dhe të denoncojmë çdo rast dhune. Fëmijët rriten nga përkëdheljet! Jeta” Greqi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?