Tabaku: Edi Rama nuk mund t’ua hedhë dot më shqiptarëve, rriti taksat dhe mbylli bizneset

Partia Demokratike përmes ish-deputetes së saj Jorida Tabaku, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ekonominë.

Përmes rrjeteve sociale, Tabaku u shpreh se ekonomia është fusha ku ka dështuar më shumë Rama duke renditur ato çfarë kanë ndodhur këto 7 vite.

Sipas saj, 97 për qind e shqiptarëve kanë paguar 4,2 miliardë euro taksa të rritura, investimet e huaja kanë rënë nivele minimale dhe vetëm 6 muajt e fundit kanë rënë me 100 milionë euro; çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv; Shqipëria ka rënie të prodhimit industrial me 11.2%; Korrupsioni ka arritur nivelet më të larta me 7.2 miliardë euro të certifikuara nga KLSH; Borxhi po arrin në nivelin 90% së bashku me faturën korruptive të koncesioneve etj.

Nga ana tjetër, Jorida Tabaku thekson se PD-ja ka ofertën e saj konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Shqiptarëve nuk mund t’ua hedhë më Rama Bashkë me dy ministra Finance doli për të folur për fushën në të cilën ka dështuar më shumë: Ekonominë. Në këto 7 vite: 97% e shqiptarëve kanë paguar 4,2 miliardë euro taksa të rritura; Investimet e huaja kanë rënë nivele minimale dhe vetëm 6 muajt e fundit kanë rënë me 100 milionë euro; Çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv; Shqipëria ka rënie të prodhimit industrial me 11.2%; Shqiptarët besojnë gjithnjë e më pak se ekonomia do të ecë pozitivisht në vitet në vijim. Besimi në ekonomi ka rënë me 50.2 pikë minimum historik që kur është krijuar treguesi; Korrupsioni ka arritur nivelet më të larta me 7.2 miliardë euro të certifikuara nga KLSH-ja; Borxhi po arrin në nivelin 90% së bashku me faturën korruptive të koncesioneve; 155 milionë euro vendime nga arbitrazhi, dëme të shkaktuara nga papërgjegjshmëria dhe interesat personale dhe që do i paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre. Dhe çfarë bën sot Rama? Riciklon figurat dhe premtimet e vjetra për ulje taksash! Ai vërtet i mendon shqiptarët me memorie të shkurtër, por gabohet. Tashmë shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen për ofertën ekonomike dhe zgjidhjen për krizën në vend. Ne nuk bëjmë propagandë. Ne flasim me fakte. Ne kemi ofertën tonë konkrete që nxit konsumin, rrit të ardhurat dhe prodhon një shtresë të mesme. Ofertën që mundëson një ekonomi prodhuese dhe në shërbim të qytetarit. Ne ofrojmë mundësinë që taksat e shqiptarëve mos të vidhen nga koncesionet dhe PPP-të. “Shqipëria në Punë” është vizioni që na drejton dhe frymëzon për të qenë konkurrues jo me një forcë politike anti-biznes por të konkurrueshëm me rajonin”, u shpreh ish-ligjvënësja demokrate, Jorida Tabaku.

SHKARKO APP