Tabaku: Mbështetje sociale për prindërit e fëmijëve me autizëm dhe sindromën Down

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë thirrje për ndërmarrjen e një nisme ligjore që të njohë sigurimet shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët me spektrin e autizmit dhe sindromën Down.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar disa takime, brenda dhe jashtë Kuvendit, me përfaqësues të shoqatave, drejtues të qendrave dhe prindër të fëmijëve me autizëm dhe sindromën Down. Sipas saj, këto takime kanë nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë familjet, veçanërisht nënat që mbajnë peshën kryesore të kujdesit për fëmijët.

Ajo theksoi se shumë prindër janë të detyruar të jenë kujdestarë me kohë të plotë për fëmijët e tyre, duke sakrifikuar shpesh karrierën dhe mundësitë personale, ndërsa sistemi aktual nuk e njeh këtë përkushtim si një kontribut të vlefshëm në aspektin e sigurimeve shoqërore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Tabakut, është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë një hap konkret për të njohur këtë sakrificë dhe për të garantuar sigurime shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Kujdesi për këta fëmijë është një përkushtim i përditshëm dhe një përgjegjësi e madhe për familjen. Por mbështetja ndaj tyre duhet të jetë edhe përgjegjësi e shoqërisë dhe e shtetit”, theksoi ajo.

Në përfundim, Tabaku u shpreh se kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht në nivel publik dhe institucional, duke nënvizuar nevojën që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për të mbështetur familjet që përballen çdo ditë me këtë sfidë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?