Tabaku në Kuvendin Kombëtar të PD: Plaga më e madhe në Shqipëri është humbja e besimit!

Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, deklaroi se problemi më i madh me të cilin përballet sot Shqipëria është humbja e besimit të qytetarëve, duke theksuar se beteja kryesore e opozitës nuk është vetëm politike, por edhe sociale.

Në fjalën e mbajtur gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Tabaku tha se shumë qytetarë nuk besojnë më te mundësia për të ecur përpara përmes punës së ndershme apo te funksionimi i shtetit në interes të tyre.

“Plaga e vërtetë dhe që ka krijuar problemin më të madh në Shqipëri është humbja e besimit. Shumë shqiptarë sot nuk besojnë se puna e ndershme shpërblehet. Nuk e besojnë se mund të ecësh përpara pa njohur njeriun e duhur. Nuk besojnë se shteti punon për ta. Dhe kur nuk beson, largohesh. Kjo është beteja jonë e vërtetë. Jo me kundërshtarin politik, se ai sot përfaqëson një model që ka degraduar. Por beteja më e madhe është me dëshpërimin”, u shpreh Tabaku.

Swiss Digital Desktop Reklama

Deputetja demokrate iu drejtua jo vetëm mbështetësve të Partisë Demokratike, por edhe të rinjve, sipërmarrësve, prindërve dhe qytetarëve të zhgënjyer nga politika, duke bërë thirrje për bashkim përtej bindjeve politike.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Thirrja ime është për ato të rinj që nuk kanë votuar kurrë, për sipërmarrësit që kërkojnë rregulla të drejta, për prindërit që kërkojnë të ardhme për fëmijët e tyre, edhe për socialistët e trishtuar. Askush prej jush nuk është kundërshtar. Shqipëria janë ato që nuk bien dakord me regjimin aktual. PD nuk kërkon të ndryshojë bindjet apo besimet, por shtrin dorën për të punuar me çdo shqiptar të ndershëm, për një Shqipëri më të mirë”, deklaroi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku theksoi se Partia Demokratike ka një përgjegjësi historike për të rikthyer vendin në drejtimin që meriton.

“Detyra jonë, e PD është historike. Është për ta kthyer Shqipërinë aty ku e meriton. Të ndryshojmë veten dhe të ndryshojmë Shqipërinë”, përfundoi Tabaku.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?