Tabaku: Rreth 1.5 mln shqiptarë jetojnë në varfëri dhe në kushte të mjerueshme

Përmes një postimi në facebook, referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, ish deputetja e PD, Jorida Tabaku shkruan se 1.5 mln shqiptarë jetojnë në varfëri dhe në kushte të mjerueshme.

“Shqipëria po varfërohet dhe zbrazet përditë e më shumë. Qeveria ka rreshtur së menduari për qytetarët e zakonshëm, jeton në një realitet tjetër. As Rama dhe as oligarkët pas tij nuk kanë asnjë alternativë për 1.5 mln shqiptarët e varfër, ato nuk kanë asnjë ofertë për rritjen e konsumit dhe as largimin e shqiptarëve” shkruan Tabaku në postimin e saj.

Postimi i plotë i Tabakut:

Shqiptarët janë përditë edhe më të varfër në bazë edhe të statistikave të prodhurara nga vetë qeveria. INSTAT raporton se konsumi për muajin dhjetor 2019, pra në pikun e festave, është 1.1%. Praktikisht 50 përqind më pak se vitin e kaluar që do te thotë se shqiptarët nuk kanë konsumuar.

Aq pak të ardhura grumbullojnë shqiptarët sa që edhe në një muaj ku tradicionalisht shpenzojnë, kanë nxjerrë nga xhepi më pak se muaji tetor dhe nëntor. Mesatarisht konsumi për vitin 2019 është 1.4% një vlerë e barabartë me vitin 2000.

Shqiptarët nuk konsumojnë se nuk kanë. Sot shqiptarët janë duke jetuar me pensione dhe Banka e Shqipërisë raporton se 30% e familjeve shqiptare jetojnë me pensione. Ndërsa familjet që kanë të ardhura të tjera nga puna, qiratë apo remitancat vijnë gjithnjë e në rënie.

Janë 1.5 mln shqiptarë që jetojnë në varfëri dhe shpenzojnë remitancat e emigrantëve apo dhe pensionet e prindërve të tyre. Një shifër e tillë që tregon gjysmën e popullsisë në kushtet e mjerimit është dëshmi e realiteti ekonomik dhe shoqëror në vend. Kjo shifër përforcohet kur sipas instat shqiptarët në shumicë dërrmuese punojnë 2 muaj në vit (vetëm 0 deri në 20 përqind në vit).

Shqipëria po varfërohet dhe zbrazet përditë e më shumë. Qeveria ka rreshtur së menduari për qytetarët e zakonshëm, jeton në një realitet tjetër. As Rama dhe as oligarkët pas tij nuk kanë asnjë alternativë për 1.5 mln shqiptarët e varfër, ato nuk kanë asnjë ofertë për rritjen e konsumit dhe as largimin e shqiptarëve.

Vendi me pagat më të ulëta në rajon, me standartin e jetesës më të ulët në rajon dhe me varfërinë më të lartë ka nevojë për stimuj fiskalë. Oferta e taksës së sheshtë 9%, incentivat në sektorët prioritarë dhe rritja e konsumit përmes rritjes së pagave dhe pensioneve janë domosdoshmëri. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor se si qeveria trajton qytetarët dhe ekonominë. Diçka që kjo mazhorancë dhe ky kryeministër nuk kanë dashur ta bëjnë që ditën e parë që erdhën në pushtet.

SHKARKO APP