Tabaku: S’mund të mbahen të vetëpunësuarit e vegjël me fjalë dhe me thërrime!

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një reagimi në rrjetet sociale, kundërshton paketën e qeverisë për ti ardhur në ndihmë biznesit të vogël.

Sipas saj, shuma prej 26 mijë lekësh që ofron qeveria, është e papërfillshme në raport me shpenzimet.

“Vetëm për të paguar qiranë, dritat, ujë, paga, sigurime, taksat vendore dhe ato qendrore i duhen 256 mijë lekë në muaj. Pra, qeveria do t’i kompensojë të vetëpunësuarit me një vlerë të papërfillshme në raport me shpenzimet”, shkruan ndër të tjera Tabaku.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

Nuk mund të mbahen te vetëpunësuarit e vegjel me fjalë dhe me thërrime!

A i mjaftojnë 26 mijë lekë në muaj për një të vetëpunësuar që të mbajë biznesin hapur???

Lexojeni përgjigjen më poshtë te tabela e kostove që ka një biznes i vogël: Vetëm për të paguar qiranë, dritat, ujë, paga, sigurime, taksat vendore dhe ato qendrore i duhen 256 mijë lekë në muaj. Pra, qeveria do t’i kompensojë të vetëpunësuarit me një vlerë të papërfillshme në raport me shpenzimet.

Vlera prej 14 mln lekësh që ka parashikuar qeveria, me një pagesë prej 26 mijë lekë/muaj për 30 mijë të vetëpunësuar, është e pamjaftueshme. Ata që do të përfitojnë nga kjo vlerë nuk mund të paguajnë as detyrimet ndaj qeverisë. Pa u mbetur asgjë për veten e tyre në fund të muajit.

Dhe nga kjo pagesë do të mund të përfitojnë VETËM 1 në 3 biznese të vogla! Shumica e bizneseve të vogla, 70 mijë të tilla, janë PËRJASHTUAR nga çdo lloj ndihme!

Kur vendet fqinje kanë disbursuar miliona, qeveria shqiptare duhet të ndalë menjëherë pagesën prej 120 mln eurosh për oligarkët, të ndalë tenderat abuzivë dhe të pakuptimtë për këtë gjendje që ndodhemi. Çdo qindarkë duhet të shkojë për shëndetin, për qytetarët pa të ardhura dhe bizneset që rrezikojnë falimentimin në masë. Koha nuk pret.

Në datën 1 prill, të gjitha bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milion lekë dhe që janë mbyllur me vendim qeverie  për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, mund të aplikojnë për të marë ndihmën financiare prej 26 mijë lekësh.

Drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ka sqaruar se ndihma financiare do të jetë për periudhën prill-qershor dhe do të shpërndahet për personat e punësuar apo të vetëpunësuar.

Nga të dhënat rezultojnë se nga kjo ndihmë do të përfitojnë  mbi 60 mijë persona.

Pas aplikimit drejtoria e Tatimeve ka një afat 10 ditor për të verifikuar të dhënat  për të qenë përfitues.

Në total, fondi i vënë në dispozicion nga buxheti për këtë paketë  është 5.8 mld lekë.

SHKARKO APP