Tabaku thirrje qeverisë: Zbatoni vendimet e Kushtetueses për shkrirjen e Bordit të Ushqimeve dhe të Karburanteve
Nga Jorida Tabaku
Qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykates Kushtetuese!
Gjykata kushtetuese ka vendosur që Bordi i Ushqimeve dhe Bordi i Karburanteve perveçse antikushtetuese i kanë kryer funksionet e tyre në kohë!
Në shkelje të plotë të konkurencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin.
Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën.
E gjitha kjo kur ka një vendim të GJK që flet qartë, kur jemi përballë një situate që nuk është më emergjente dhe kur çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar!
Vendimi i GJK është i qartë dhe në mbrojtje të xhepave të shqitparëve që paguajnë më shtrenjtë naftën prandaj nuk ka asnjë arsye logjike dhe ligjore që bordi oligarkëve të jetë në fuqi. I takon qeverisë që të veprojë, por e kuptoj dhe hezitimin e saj pasi është ortake në çmimet e larta që vendos bordi. Prandaj i bëj thirrje dhe parlamentit që të mblidhet për të kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtij bordi.
Jam e bindur që ka shumë prej kolegëve socialistë që mund të ndajmë shumë mendime të ndryshme por puqemi pikërisht në çmendurinë e këtij bordi sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Detyra e Parlamentit! Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin e shqiptarëve, pasi ata janë zgjedhësit tanë dhe jo një klub oligarkësh që u vendos atyre çmimin e lartë të naftës duke ua shtrenjtuar jetën më shumë se sa inflacioni socialist!