Tahiri: Ashpërsim i Kodit për armëmbajtjen pa leje

Ministria e Brendshme është duke pregatitur një draft që riklasifikon armëmbajtjen pa leje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi disa nene të Kodit Penal për këtë vepër penale.

Iniciativa u bë publike nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Ajo që ne do bëjmë me urgjencë është propozimi për kolegun tim, ministrin e Drejtësisë dhe për Kuvendin, propozimi i amendamenteve për të dënuar maksimalisht “armëmbajtjen pa leje”. Do të fokusohemi që të mbledhim praktikat më të mira botërore, duke bërë çmos që “armëmbajtja pa leje” të jetë një vepër shumë e dënueshme.

Një ndër to parashikon ndarjen e armëmbajtjes nga armëmbajtje në trup në armëmbajtje në mjedise, qoftë kjo makinë, qoftë kjo shtëpi. Po shikojmë disa modele që janë mjaft pozitive. Unë kam nxitur edhe ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme  të vlerësojmë të gjitha variantet.

Një variant është që armëmbajtja pa leje në trup mos të konsiderohet si armëmbajtje pa leje, por përgatitje për sulm me armë që dënohet shumë më shumë. Ndërkohë armëmbajtja pa leje në makinë apo në shtëpi të konsiderohet nga pikëpamja e Kodit Penal vetëm si armëmbajtje pa leje dhe të dënohet po shumë, por jo aq sa armëmbajtja pa leje në trup, që sipas nesh duhet të konsiderohet si përgatitje për sulm me armë”,sqaroi ministri Tahiri.

Ministri ka dërguar 2 ditë më parë një letër në adresër të Presidentit të Republikës, Ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së, për një vendim gjykate.

Kam bërë një shkresë drejtuar Presidentit, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë. Sepse unë nuk e quaj të arsyeshme që një gjyqtar të lirojë në sallën e gjyqit një person që kapet me një armë pa leje në trup. E quaj tërësisht të paarsyeshme, madje (mendimi im personal është që kjo është) kriminale!

Cilido qoftë arsyetimi që ka bërë gjyqtari, unë besoj shumë fort që është tërësisht e palogjikshme, kundërproduktive, dhe mbi të gjitha kërcënon dyfish shoqërinë”, theksoi Tahiri.

Deklaratat u bënë gjatë inspektimit të ambjenteve të repartit të FNSH, në të cilin po investohen 6 milion euro.

“Jemi fokusuar që ta bëjmë policinë t’i shërbejmë qytetarëve, jemi fokusuar që ta bëjmë policinë shumë më moderne nga pikëpamja e infrastrukturës dhe teknologjike, ashtu siç jemi të fokusuar që policisë t’i rrisim kapacitetin parandalues të zgjidhjes së konflikteve dhe sigurisht reagues dhe që kanë të bëjnë me ata që kryejnë ngjarje kriminale”, u shpreh Tahiri.

SHKARKO APP