Tahiri: Bashkëpunimi në rajon, kyç për luftën kundër terrorizmit

 

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Ministri i Drejtësisë Nasip Naço po marrin pjesë në Konferencën rajonale, për luftën kundër terrorizmit. Takimi dy ditor zhvillohet në Budva të Malit të Zi. Në të marrin pjesë ministrat e Brendshëm e të Drejtësisë nga gjithë rajoni.

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Tashmë është shumë e qartë se aktet terroriste janë një kërcënim jo vetëm për sigurinë e secilit prej vendeve tona, por një kërcënim ende më i madh për vlerat në të cilat ne të gjithë besojmë.  Ashtu siç është shumë e qartë tashmë se ne duhet të bashkojmë forcat për të bërë gjithçka është e mundur për qytetarët tanë.

Bashkëpunimi mes nesh është kyç. Ne duhet të shkëmbejmë informacion dhe të bashkojmë forcat për të luftuar krimin e organizuar, për të hetuar pasuritë e pajustifikuara dhe më kryesorja, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Kriminelet janë më të shpejtë se ne. Bashkëpunojnë më shpejt se ne. Nuk njohin kufij dhe as burokraci. Ndaj më parë duhet të luftojmë burokracinë dhe pengesat për bashkëpunimin efektiv mes nesh.

Ndoshta është momenti që ne të sugjerojmë të gjithë së bashku  për kolegët tanë në BE, që në takimet periodike të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së BE-së, të marrin pjesë edhe Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë së rajonit tonë, sepse siguria është një sfidë që duhet të përballim të gjithë së bashku pa dallim, cili është vend anëtar i BE-së dhe cili jo.  Sepse terrorizmi më shumë se çdo sfidë tjetër ndaj sigurisë, rrezikon shumë vendet tona pavarësisht nëse je shtet i BE-së. Ne duhet që evente si ky, ti pasojmë me hapa konkretë, sepse vetëm së bashku dhe duke punuar konkretisht ne mund të arrijmë rezultate të qëndrueshme.

SHKARKO APP