Tahiri: Do të reformohet zinxhiri i mbrojtjes civili. Brenda vitit ligj i ri
Zinxhiri i mbrojtes civile në vend duhet të reformohet tërësisht, si në pushtetin qendror edhe atë lokal për të krijuar kapaciteteve njerëzore me profesionistë, për t’u përballur me situata emergjence.
Ky është mesazhi i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në konferencën që çeli stërvitja e përbashkët “Joy Reaction”, që përfshin vendet e Ballkanit Juglindor, ku në fokus janë masat në raste të emergjencave civile, e kryesisht tërmetet.
Ministri i Brendshëm Tahiri theksoi rëndësinë e kësaj stërvitje të përbashkët mes vendeve të Ballkanit Juglindor, jo vetëm për bashkëpunim mes tyre por edhe për të krijuar një plan koordinues në raste të emergjencave civile.
“Ndonëse kemi bërë përparime të dukshme në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ndihet nevoja për zhvillime më të mëdha, si në aspektin normativ ashtu edhe në aspektin strukturor, teknologjik dhe infrastrukturë, qofshin këto publike apo private. Fatkeqësisht, qytetarët janë tërësisht të pamësuar me skenaret e përballimit të emergjencave. Por qeveria, pushteti vendor, institucionet, nuk ia dalin dot vetëm. Kjo nuk ndodh kurrë. Ashtu siç institucionet, sado të konsoliduara dhe me buxhet të konsiderueshëm të jenë, përsëri nuk mund të përballojnë dot këto fatkeqësi, në qoftë se nuk ndërtojmë masa parandaluese, edukative për qytetarin dhe shoqërinë por edhe infrastrukturore, që synojnë të ndërtojnë sigurinë tonë të përbashkët me përpjekje të përditshme,” theksoi Ministri i Brendshëm.
Ai shtoi së këtë vit do të përfundojë strategjia kombëtare dhe Ligji i ri për “Mbrojtjen Civile”.
“Të krijojmë një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen ndërmjet nesh, për shkëmbimin e informacionit dhe dhënien e ndihmës reciproke atëherë kur një prej vendeve tona preket nga fatkeqësitë natyrore apo të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut”, nënvizoi ministri Tahiri.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, u shpreh se kjo stërvitje, është e para e kësaj natyre, ku në fokus të saj është bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në raste të fatkeqësive natyrore.
“Kjo stërvitje u ideua vitin e kaluar gjatë kryesimit të kartës së Adriatikut nga Shqipëria, dhe jemi të lumtur që kontributi i Shqipërisë vazhdon. Fatkeqësisht rajoni i Ballkanit është dëshmitar i katastrofave natyrore me pasoja njerëzore dhe materiale të konsiderueshme. Besoj fort në marrjen e masave parandaluese për përballimin e të gjitha natyrave të emergjencave duke hartuar një plan kombëtar dhe duke krijuar kapacitete reale”, tha ministrja Kodheli.
Në konferencën që shënoi çeljen e stërvitjes, ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu.
KOHA JONË SONDAZH

