Tahiri: Drejtësi për 21 Janarin
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, gjatë një vizite tek reparti FNSH, i ka komunikuar personalisht punonjësve të këtij reparti vendimin më të fundit të qeverisë për sigurimin shëndetësor të posaçëm.
“I kemi kushtuar një vëmendje shumë të veçantë trajtimit të punonjësve të Policisë, duke besuar se ka qenë e padrejtë që punonjësit e Policisë, përveç vështirësive në terren dhe në përballjen me kriminalitetin, të kishin vështirësi edhe në përmbushjen e detyrës, për shkak të mungesës së kushteve, të harresës historike dhe të lënies pas dore në mënyrë të vazhdueshme nga qeveritë”, tha Tahiri.
“Qeveria është dhe do jetë aty, për t’i ndihmuar dhe për të ndarë bashkërisht rrezikun e punës së tyre. Pra dua ta theksoj: është një angazhim i përmbushur. Si shumë të tjerë edhe ky është ndër angazhimet që morëm në vitin 2013 e inkorporuam në programin e qeverisë dhe sot e bëjmë realitet”, shtoi Tahiri.
“Unë dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë për vëmendjen e posaçme të qeverisë lidhur me trajtimin e tyre. Ne besojmë që ky vend mund të jetë shumë më i sigurt. Policia mund të shërbejë për qytetarët shumë më mirë vetëm atëherë kur punonjësit e Policisë nuk kanë probleme me trajtimin, me pagën, me infrastrukturën, me kushtet e punës. Sepse punonjësit e Policisë nuk mund të bëjnë një luftë të dyfishtë edhe me kriminalitetin edhe me harresën apo lënien pas dore nga qeveria”, theksoi Ministri i Brendshëm , i cili garantoi gjithashtu se do bëhet drejtësi për 21 Janarin.
“Drejtësia për “21 janarin” nuk është vendosur. Është një nga çështjet themelore ku dallohen shumë qartë të paktën dy gjëra. E para, krimi shtetëror që ka mbetur i pandëshkuar. E dyta, nevoja për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke filluar më së pari me ata gjyqtarë që kanë sanksionuar një krim të dytë lidhur me ata që u vranë në 21 janar”, tha Tahiri.
Ai sulmoi dhe opozitën dhe veçanërisht ish Kryeministrin Sali Berisha. “Dhe keni pasur së fundi edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet në 21 janar, madje ka kërcënuar se po të vijonte akoma më shumë do vriste. Ajo që është e rëndësishme është që ne të kuptojmë bashkërisht që kemi një borxh të trashëguar dhe ende të pashlyer lidhur me ata që u vranë nga shteti në 21 janar”, vijoi Tahiri.
“Kemi një borxh të dyfishtë për të vendosur përpara përgjegjësisë penale dhe për të marrë dënimin e merituar ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan urdhrin për të vrarë në 21 janar. Dhe nga ana tjetër për të nxjerr përpara përgjegjësisë gjyqtarët që kryhen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar, duke mos dënuar ekzekutuesit në 21 janar. Dhe nuk është habi për mua që pikërisht ata që dalin sot dhe flasin kundër Reformës në Drejtësi, ata që prononcohen kundër Vetting-ut, ata që prononcohen në emër me demek të shoqatave të gjyqtarëve, kundër Reformës në Drejtësi, janë pikërisht ata që kanë dhënë vendime në 21 janar. Kjo është e papranueshme për ne, por është një motiv më shumë për të shtyrë përpara Reformën në Drejtësi. Ne jemi angazhuar që drejtësia për “21 janarin” të bëhet”, nënvizoi Ministri Tahiri.

